SHKUP-Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se referendumi i së dielës në këtë vend doli i suksesshëm, sepse siç u shpreh, për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit votuan mbi 600 mijë qytetarë.

Dimitrov i bëri këto komente edhe pse pjesëmarrja në referendum nuk e kaloi pragun e nevojshëm prej mbi 50%.

“Nëse nga mbi 650 mijë qytetarë që dolën në referendum, mbi 600 mijë kanë votuar ‘për’, ky është mandat i qartë politik që Maqedonia të ecë para. Fitore më e madhe nga cilado fitore e ndonjë partie politike”, tha Dimitrov në një postim në Facebook, njofton REL.

Ai tha se tani mbetet të dëgjohet vullneti i popullit nga ana e deputetëve në Kuvend.

“Ua kemi borxh qytetarëve të ardhmen. Edhe do ta sigurojmë, në një mënyrë ose tjetër“, tha Dimitrov.

Ai është njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit të tij në Maqedonia e Veriut.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje, në referendum dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, është thënë se do t’i hapte rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Të dielën, qytetarët e Maqedonisë votuan nëse janë në favor të anëtarësimit të vendit të tyre në këto organizata përmes zbatimit të marrëveshjes për emrin.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb