Republika e Maqedonisë së Veriut do të kryesojë me tri platforma ndërkombëtare: OSBE, A5- Karta e Adriatikut dhe PBEJL. Barra bie mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, me të cilën udhëheqë për herë të parë një shqiptar, Bujar Osmani.

Shqiptarët kanë luajtur rol mjaft konstruktiv dhe determinues për kthimin e RMV në binaret drejt eurointegrimeve. Këtë për portalin Open-TV e konfirmon edhe Adri Nurellari, studiues dhe publicist.

“Shqiptarët si komuniteti i dytë shtet-formues i Maqedonisë së Veriut, kanë luajtur një rol vendimtar për integrimin euro-atlantik të këtij shteti duke mbajtur të palëkundur orientimin gjeopolitik drejt perëndimit. Ndërkohë që brenda komunitetit maqedonas ka pasur flirtime për t’u orientuar drejt Lindjes nëpërmjet flirtimit me Moskën apo me financimet kineze, shqiptarët ishin ata që me këmbëngulje shtynë përpara procesin e integrimit-euroatlantik, mbajtën të hapur kanalet e komunikimit me Brukselin dhe Uashingtonin e prandaj janë më meritorët për sa i përket hyrjes në NATO dhe hapjes e negociatave për BE”, ka deklaruar Nurellari.

Meqë timonin e OSBE nga 1 janari i vitit 2023 do e merr kryediplomati Osmani, Nurellari ka komentuar edhe profilin politik të tij.

“Në rrugëtimin e turbull të viteve të fundit të Maqedonisë së Veriut, Osmani ka qenë një nga protagonistët politik që kanë kontribuar në tejkalimin e sfidave të shumta. Kujtoj këtu, që në vitet e fundit Maqedonia e Veriut evitoi një ripërsëritje të konfliktit civil, bëri të mundur mbylljen e konfliktit të ngrirë për çështjen e emrit, zhbllokoi hyrjen në NATO dhe menaxhoi përplasjet me Bullgarinë duke siguruar hapjen e negociatave. Duke qenë se ai ka qenë nën lidershipin e Ali Ahmetit , bashkë-pjesëmarrës në atë ekip që ka kontribuar në këto arritje, besoj se është një ndër politikanët më të kalitur shqiptar, i sprovuar në kushte të vështira”.

Sipas Nurellarit, Osmani është dëshmuar si ministër i jashtëm, por edhe si zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane. “Jam i bindur që do të jetë në lartësinë e detyrës edhe gjatë vitit të presidencës së OSBE-së. Madje mendoj se përvoja e freskët me konflikte të brendshme e të jashtme të Maqedonisë së Veriut e bën veçanërisht kompetent në kushtet kur sfida aktuale më e madhe e OSBE-së është përballja me luftën në Ukrainë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb