TURQI– Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu e cilësoi sot si të pabazë dhe larg realitetit historik deklaratën e Papa Françeskut dhe përdorimin e termit ”gjenocid” për të cilësuar masakrën kundër armenëve 100 vjet më parë.

“Deklarata e papës, që është shumë larg realitetit ligjor dhe historik, nuk mund të pranohet”, theksoi në rrjetin social ”Twitter” ministri turk.

Papa Françesku përdori sot, në meshën solemne të mbajtur në bazilikën Shën-Pjetër në Romë, termin ”gjenocid” për masakrën e armenëve 100 vjet më parë duke rritur rrezikun për një prishje të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë.

”Në shekullin e kaluar, familja jonë njerëzore kaloi tre tragjedi masive dhe të pazakonta. E para, që është konsideruar gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të XX ka goditur popullin tonë armen”, deklaroi papa duke cituar një dokument të nënshkruar në vitin 2001 nga papa Jean Paul II dhe patriarku armen.

Turqia thirri sot përfaqësuesin e Vatikanit në Ankara me qëllim për t’i kërkuar shpjegime për qëndrimin e Papa Françeskut, i cili përdori për herë të parë termin gjenocid përsa i përket masakrës së armenëve në vitin 1915, njoftuan sot televizionet turke.

”Përfaqësuesi u thirr në ministrinë e Punëve të Jashtme turke”, theksuan stacionet televizive NTV dhe CNN-Turk, pa dhënë asnjë detaj tjetër.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: