Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me takimet që parashikohen të zhvillohen mes përfaqësuesve të posaçëm të Armenisë dhe Turqisë, tha se “Sipas përshtypjes sonë, mbledhja e parë, është një dëshirë e Armenisë në këtë drejtim, do të mbahet në Moskë”.

Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në mbledhjen për vlerësimin e politikës së jashtme të vitit 2021 në selinë e Ministrisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse është përcaktuar kalendari i takimeve të përfaqësuesve të posaçëm që kanë emëruar Turqia dhe Armenia, ai tha se përfaqësuesit duhet të përcaktojnë një datë për një takim kokë me kokë.

“Sipas përshtypjes sonë, mbledhja e parë, është një dëshirë e Armenisë në këtë drejtim, do të mbahet në Moskë”, u shpreh ai, raporton AA.

Ministri turk vuri dukje se fluturimet charter të ndërsjella mes dy vendeve do të fillojnë së shpejti, duke theksuar se duhet të vendosen kontakte të drejtpërdrejta, përfshirë vizitat e ndërsjella, ndërmjet Armenisë dhe Turqisë dhe të përcaktohet një udhërrëfyes për hapat që do të ndërmerren për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Armeninë, konsultimi dhe koordinimi me Azerbajxhanin është i rëndësishëm. “Shpresoj që Armenia vazhdon në këtë linjë. Mesazhet (e Armenisë) janë pozitive por duam të shikojmë veprime. Mund të hedhim edhe hapa trilaterale”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu foli edhe rreth protokollit për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Armenisë i nënshkruar në vitin 2009, duke treguar se protokolli është iniciativë e qëllimit të mirë, por rikujtoi se ka qenë e pasuksesshme për shkak se pjesët më të rëndësishme të protokollit janë anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Armenisë.

“Sot filloi një proces i ri. Në kuadër të këtij procesi për normalizimin e marrëdhënieve duhet të hidhen hapa të reja. Kjo do të jetë e rëndësishme për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Kaukazit”, shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb