Turqia është ende duke punuar në organizimin e një takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, tha të enjten ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu për kanalin turk të lajmeve NTV.

“Ne e dimë se temat kritike do të vendosen në nivel lideri, kështu që ne do të përpiqemi t’i bashkojmë liderët,” tha ai.
Cavusoglu tha se Turqia vazhdon t’i qaset negociatave me “optimizëm të kujdesshëm”, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit të krimeve të supozuara të luftës në Bucha dhe Irpin, të cilat “ndikuan negativisht në proces”.

“Imazhet çnjerëzore nga rajone si Bucha dhe Irpin, të cilat ne gjithashtu i dënojmë, ndryshuan atmosferën. Krijuan një atmosferë negative në palën ukrainase. Ndërsa kishte deklarata të ndryshme nga Federata Ruse në lidhje me këtë, kjo në fund të fundit ndikoi negativisht në procesin e negociatave”, tha ai.

“Pavarësisht të gjitha atyre sfidave, Presidenti Zelensky tha se bisedimet mund të vazhdojnë…Por duhen dy liderë për të thënë po. Sidomos presidenti Putin”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm tha se ndërsa ekziston mundësia e një armëpushimi, “nëse luftimet zgjasin dhe sulmet e reja ndodhin në Donbas, kjo do të jetë më e vështirë për t’u arritur”.

Në fillim të këtij muaji, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i tha Presidentit Putin se do të dëshironte ta bashkonte atë me Presidentin Zelensky, pas një takimi personal që u mbajt midis delegacioneve negociuese ruse dhe ukrainase në Stamboll në mars.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb