“Prilli është muaji i bilanceve për koalicionet por edhe për pritshmëritë e qytetarëve”. Kështu ka deklaruar nga Korça Ministri Edmond Panariti, lidhur me vijimin e bashkëpunimit mes PS dhe LSI edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Koalicionet regjistrohen në mes të prillit. Ky është afati dhe gjatë kësaj kohe duhen bërë bilance dhe duhen diskutuar sepse nuk është thjesht çështje konfigurimi e koalicionit por është çështja e pritshmërisë së qytetarëve, e objektivave madhore që ne kemi përpara për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit”, deklaroi Panariti.

Pas së hënës së zhurmshme me tensionet brenda qeverisë, ministri Panariti e cilëson ende marrëdhënien brenda koalicionit, të qëndrueshme, me gjithë problemet që ajo mbart.

“Në koalicion ka shqetësime por këto trajtohen gjithmonë në mënyrë institucionale, ku të dy partitë diskutojnë haptas dhe vendosin në mënyrë transparente përballë njëra-tjetrës të gjithë problemet që dalin në një qeverisjes sepse është normale që gjatë procesit qeverisës të krijohen edhe probleme”, u shpreh Panariti.

Deklarata e Panaritit erdhën nga zona e Boboshticës në Korçë, ku inspektoi një fermë lopësh, shoqëruar nga një ekip specialistësh të blegtorisë. Panariti premtoi kompensim për humbjet e pësuara nga dermatoza nodulare edhe në këtë zonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb