DURRES- Në takimin me elektoratin e vet në Durrës, si kryesuesi i listës së partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në këtë qark, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u është rikthyer kritikave ndaj kryebashkiakut Vangjush Dako. Ai thotë se Dako ka bërë punë të dobët në funksion të turizmit duke i trajtuar zonat tradicionale si zona urbane.

“Ne jemi atraktivë si qytet bregdetar pikërisht se kemi këto vlera arkeologjike se kemi një zonë turistike e nuk mundemi ta konsiderojmë dhe zonën tradicionale, si zonë urbane. Ju siguroj se, arkitektura dhe vullneti sot mund të bëjnë gjithçka dhe ta transformojnë atë golf të Durrësit, me disa ndërhyrje që bëjnë shumë më pak para, se këto që po shpenzohen sot, shndërrimin në një zone turistike elitare. Turizmi patriotik në Durrës do vinte një ditë që dikur do të dështonte, dhe pikërisht ajo zonë e konsideruar e atillë, sot po shkon drejt rrënimit, e t’i rikthesh turistët nesër në Durrës kërkon punë shumë më të madhe. Ta bësh jetën e qytetarit me më pak stres, kjo është detyrë funksionale e çdo të zgjedhuri vendor apo qendror”, tha ministri Koka.

Mjaft kritik ka qenë edhe kandidati për deputet i LSI për qarkun e Durrësit, Arb Shtylla, i cili ka kërkuar nga banorët të marrin në dorë fatet e qytetit, i cili sipas tij po mbulohet nga betoni.

“Ata po e rrënojnë zemrën e qytetit, po harrojnë historinë, po shkatërrojnë me beton Dyrrahun e lashtë, Dyrrahun tonë. Koha dhe vetë ju, kërkojnë të marrim në dorë fatet e qytetit tonë”, tha Shtylla.
Në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ngre edhe njëherë shqetësimin e kultivimit të hashashit në vend.

“Aktorë të rëndësishëm të forcës sonë politike si dhe Ministrat tanë, kanë ngritur publikisht shqetësimin e kultivimit të hashashit. Nuk ishte misioni ynë të gjelbëronim Shqipërinë në këtë mënyrë. Misioni ynë ishte ta gjelbëronim Shqipërinë me pyje”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek situata aktuale politike ministri Koka është shprehur i gatshëm që nën logon e LSI, të përballet me këdo forcë politike në Durrës, duke vlerësuar futjen në zgjedhje të LSI si forcë e vetme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb