Nga Klodiana Lala

Me një shkresë që mban datën 12 korrik, Ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi i është drejtuar tre institucioneve me kërkesën për të hetuar tenderët në institucionin që drejton, pasi ka dyshime se janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin dhe kanë krijuar miliarda lekë borxhe.

“Nga analiza e detajimit të fondeve buxhetore për investimet për periudhën 2017-2019, rezulton se Ministria e drejtësisë gjatë këtij viti elektoral ka prokuruar më shumë fonde për secilin investim krahasuar me fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.
Në vlerësimin tonë, një institucion shtetëror nuk mund të prokurojë një shërbim nëse më parë nuk është siguruar financimi nga Buxheti i Shtetit. ky detyrim rezulton se është anashkaluar gjatë realizimit të të paktën 3 procedurave të prokurorimit nga pesë të tilla të raportuara nga sektori I prokurimeve në Ministri”, thuhet në shkresën e Bardhit.

gaz bardhi dokumenti

Ministri teknik informon institucionet se pavarësisht nga fondet e vëna në dispozicion nga Buxhetit i Shtetit, Sekretari I Përgjithshëm ka prokuruar shërbime me vlerë disa herë më të larta, duke akumuluar në këtë mënyrë një borxh të madh, vetëm për muajt e parë të 2017.

Në shkresën e tij, Bardhi rendit me detaje, firmat që kanë fituar tenderët dhe arsyet përse dyshon se janë kryer veprime korruptive.

Për këtë arsye, Bardhi kërkon mendim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit sesi duhet të veprohet me këto detyrime të marra përsipër me kontratat e prokurorit lidhur mes Ministrisë dhe operatorëve ekonomikë.

Ndërsa kërkon nga kryeministria që nëse e ka të mundur të dërgojë në institucion, inspektorët e strukturës Antrikorrupsion, për të verifikuar situatën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb