TIRANË- Ministri i Drejtësisë nga radhët e PD-së vendosi të pezullojë kërkesat për dorëheqje të krerëve të hipotekave në rrethe, kërkuar nga kryeministri Edi Rama.

Bardhi ka një tjetër zgjidhje dhe thotë se, fillimisht duhet të kontrollohet puna e tyre, me anë të një grupi të posaçëm e më pas kushdo nga krerët e ZQRPP që ka kryer shkelje, do largohet nga detyra me masën disiplinore shkarkim nga detyra dhe jo me dorëheqje.

Në deklaratën e shpërndarë për shtyp, të ministrit të drejtësisë thuhet se kryeministri i vendit ka deklaruar që krerët e hipotekave kanë kryer tallje kolektive me njerëzit, por se ministri i Drejtësisë vlerëson se duhet gjykuar puna e tyre.

“Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë. Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjor që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji”.

Për këtë qëllim, Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse. Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit.

“Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente. Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: