Në Kosovë, së shpejti, pritet të arrijnë mbi 450,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, të bëra donacion nga Shtetet e Bashkuara, tha të martën ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Vitia tha se Kosova ka mjaftueshëm doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

“Edhe një herë ju bëj thirrje që të mos zgjedhim se cilën vaksinë ta marrim në një situatë si kjo. Me rëndësi është që të vaksinohemi sa më parë”, tha Vitia.

“Ne jemi i vetmi vend në rajon që kemi administruar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së”, shtoi ai.

Vitia nuk sqaroi se sa vaksina gjenden saktësisht në stoqe. Disa qytetarë, ditëve të fundit, kanë shpërndarë në rrjetet sociale fotografi me mesazhet për refuzim të termineve për vaksinim.

Kosova, në muajin maj, ka nënshkruar kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave kundër koronavirusit.

Dërgesat nga Pfizer arrijnë në Kosovë çdo javë.

“Në tremujorin e tretë në të cilën gjendemi, nga kontrata bilaterale me Pfizer-in në total do të vijnë 622,000 vaksina – një pjesë tanimë ka arritur gjatë muajve korrik dhe gusht”, tha Vitia.

Kosova është duke kaluar nëpër një valë të rëndë të pandemisë së koronavirusit.

Vetëm në tre ditët e fundit janë regjistruar 82 viktima.

Të martën u konfirmuan edhe 1,383 raste të reja pozitive.

Aktualisht, numri i rasteve aktive me koronavirus është 26,886.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri të martën në Kosovë janë dhënë mbi 825,000 vaksina kundër koronavirusit.

Në total, 276,890 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb