Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) shpall thirrjen për shprehje interesi për të gjitha OJF-të e interesuara në projekte, që merren me dhënien e ndihmës ndaj viktimave të krimit të organizuar e trafikimit, që mbrojnë të drejtat e familjarëve të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë, apo asistojnë në rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Shpallja e thirrjes u bë nga një biznes i krijuar me burim kriminal, i konfiskuar dhe shndërruar në kafe-librari e qendër trajnimi për të rinjtë, në qytetin e Durrësit.

Në takim e zhvilluar, duke respektuar masat anti-Covid morën pjesë Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, znj. Elena Pici, njëkohësisht drejtuese e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, Prefekti i qarkut, drejtues të AAPSK dhe Policisë së Shtetit.

Ministri Lleshaj u ndal tek detyrat e Agjencisë në procesin e mirë-administrimit të aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, në mënyrë që ato të vihen në shërbim të institucioneve publike, kryesisht Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Gjatë fjalës së tij ai vuri theksin te mesazhet kryesore që duhet të përcillen në publik përmes këtij procesi, në luftën kundër krimit.

Sekretarja e Përgjithshme Elena Pici shpjegoi se vendimet e Komitetit synojnë të sigurojnë administrimin me eficiencë dhe efektshmëri të aseteve, duke vënë në përdorim pronat e sekuestruara apo të konfiskuara. Ajo u shpreh se qëllimi është t’i kthehet komunitetit çdo pasuri që arrin të përfitohet si fond, nëpërmjet luftës kundër krimit të organizuar. Gjithashtu ajo u bëri thirrje OJF-ve që kanë në fokus rehabilitimin social apo kulturor të grupeve të ndikuara nga krimi i organizuar të aplikojnë për projekteve në bazë të udhëzimeve, pasqyruar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

Drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), z. Artur Kala prezantoi rezultatet e punës. Ai tha se të gjitha proceset gjyqësore të ngritura ndaj AAPSK, për administrimin e pasurive janë fituar nga Agjencia. Në shumicën e rasteve të trajtimit të pasurive, vlera e tyre është rritur. Z. Kala shtoi se administrimi i pasurive është bërë me efeciencë. Mbështetja dhe financimi që Agjencia u ka dhënë institucioneve shtetërore ligjzbatuese si Polici, Prokurori dhe OJF që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbështetje të integrimit të viktimave të trafikimit ka qenë e konsiderueshme.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj: Sfida e deritanishme ka qenë se si t’i shtojmë sekuestrimet dhe konfiskimet në fushën e krimit të organizuar. Tashmë një sfidë e re mbetet si t’i administrojmë ato mjete, si t’i kthejmë ato në dobi të publikut. Bëhet fjalë për shifra impresionuese edhe shifra të larta, e të mos harrojmë që jemi vetëm në fillim të këtij procesi.

Agjencia duhet të tjetërsohet në kuptimin pozitiv. Detyra e parë e Agjencisë është të transformojë rrënjësisht mënyrën se si vepron. Të krijojë kapacitetet e veta për të mundësuar që ky volum i madh asetesh të vihen sa më mirë në shërbim të publikut dhe kur them në shërbim të publikut, së pari në shërbim të institucioneve publike, kryesisht Policia e Shtetit dhe SPAK-u. Pastaj edhe të aktorëve të tjerë publikë siç janë dhe organizatat jo-qeveritare, të cilat gjej rastin t’i përshëndes për angazhimin.

Ne duhet të japim mesazhe të mëdha përmes këtij procesi dhe mesazhet kryesore që janë, janë mesazhet kundër krimit. Mesazhi i parë, që duhet të përsëritet përherë nga gjithë veprimtaria e Agjencisë, i cili duhet të përcillet në publik, është ai që ka të bëjë me bindjen e kujtdo në Shqipëri, se produkti i veprimtarisë kriminale, sado të vonojë, njëherë do të përfundojë në duar të publikut. Kushdo duhet të bindet, ata që i janë futur rrugës kriminale, ata që joshen drejt saj, e të tjerë, se ky biznes kriminal, ka një përfundim dhe përfundimi është Agjencia. Pasuritë do të përfundojnë tek Agjencia dhe pastaj nga Agjencia do të përfundojë tek publiku. Do kthehen në asete të Policisë, në aset të Prokurorisë, në asete të publikut.

Duhet t’i nxisim pastaj të gjithë aktorët e shoqërisë civile, për t’u bërë pjesë e këtij procesi, për të marrë pjesë aktivisht, sepse është i rëndësishëm jashtëzakonisht shumë modeli dhe mesazhi që përcjellim tek të rinjtë. Është mirë ta dinë të rinjtë e Durrësit dhe besoj kjo nismë ka nisur, ky nga një lokal famëkeq, tashmë tjetërsohet në një mjedis që përcjell të tjera vlera te shoqëria. Ky model duhet të shumëfishohet në raste të tjera. Por e përsëris, këtu ka rol të madh Agjencia, e cila duhet të shtojë kapacitetet dhe të modernizojë mënyrën e qasjes.

Ka edhe shumë asete të tjera që janë tashmë në administrim të Agjencisë, të cilat mund të kombinohen, e unë do ta inkurajoj Agjencitë dhe Komitetin, që, edhe asete të tjera që Agjencia i ka konceptuar ose i ka vënë për biznes, të inkorporojë brenda tyre elementë social. Po themi, në qoftë se një model i madh, që përdoret tashmë si biznes, të ketë një mjedis, në sallë, që t’ia vëmë në dispozicion një organizate të shoqërisë civile, për të kryer aktivitete të kësaj natyre, si këtu. Mund të kryhet edhe në Sarandë, apo në vende të tjera, ose në objekte tjera, ku mund të inkorporohen, krahas veprimtarisë thelbësore, edhe elementë shtesë, që të arrijë të kombinohet veprimtaria bazë, pra biznesi me veprimtarinë sociale. Kjo është shumë e rëndësishme dhe do të përcillnim një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm për shoqërinë. Unë ju përgëzoj për punën, megjithëse është një përgëzim paraprak, do të thotë, jemi krejt në fillim, por fillimi është i rëndësishëm.

Sekretarja e Përgjithshme, Elena Pici: Ju falënderoj për prezantimin, vërtetë ju përgëzoj për punën shumë të mirë, që ju bëni në këtë sipërmarrje sociale e sjellin një vlerë të shtuar, jo vetëm për skuadrën që keni punësuar këtu, por për edhe komunitetin më gjerë. Janë biznese të tilla sociale, të cilat janë edhe motivi i punës së Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar. Në emër të tij ju përgëzoj për punën tuaj.

Në kuadër të ndryshimeve që z. Kala përmendi të ligjit 10/192 të vitit 2009, ndryshimet e fundit të 2020-ës, i kanë dhënë këtij Komitetit, të cilin theksoj që është ndërinstitucional duke siguruar kështu një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të aktorëve institucional kryesorë që luftojnë krimin e organizuar, një rol të ri, rol vendimmarrës.

Vendimet e tij synojnë dy qëllime kryesore: së pari, të sigurojnë mirë-administrimin me eficencë dhe efektshmëri dhe së dyti, të vëmë në përdorim pronat e sekuestruara apo të konfiskuara sipas rastit. Kjo sigurisht falë bashkëpunimit dhe implementimit që i bën agjencia këtij procesi. Dhe së dyti shumë e rëndësishme t’i kthejmë komunitetit çdo gjë që arrin të përfitohet si fond, apo si asete nëpërmjet luftës kundra krimit të organizuar.

Një pjesë e rëndësishme e këtij fondi shkon në buxhetin e shtetit, por një zë tjetër i rëndësishëm i këtij fondi është pikërisht edhe krijimi i fondit të veçantë. Ky fond këtë vit është në vlerën e 93.4 milion lekë, sipas kursit të konvertuar. Për të, Komiteti së fundmi ka marrë vendimin ta shpërndajë në 80% të tij do të shkojë për zhvillim të kapaciteteve hetimore dhe luftës kundër krimit të organizuar. Institucionet kryesore përfituese do të jenë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Ndërkohë që 20 % e këtij fondi që është në një vlerë të konsiderueshme prej 18.7 milion lekë do të shkojë për projekte të bëra nga OJF-të, apo njësitë e qeverisjes vendore. Këtu flasim për OJF, të cilat kanë në fokus të tyre rehabilitimin social apo kulturor të grupeve të ndikuara nga krimi i organizuar. Një grup mjaft sensitiv janë fëmijët e policëve të rënë në detyrë, apo qendrat e tjera, të cilat presin viktimat e dhunës, që janë qendra terapeutike apo rehabilituese për personat që janë ndikuar nga lëndët narkotike.

Kështu që unë do të inkurajoja në emër të gjithë Komitetit të gjitha organizatat që kryejnë veprimtari në këtë fushë dhe plotësojnë kriteret e tjera ligjore, të aplikojnë në këtë thirrje që do të jetë e publikuar në web-in e Ministrisë së Brendshme, duke respektuar afatin e përcaktuar dhe dokumentet e kërkuara. Uroj vërtetë që të kemi shumë aplikime dhe implementime dinjitoze projektesh, ashtu siç është ky ku jemi sot. Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb