BEOGRAD- Një koment aspak i këndshëm do t’i kushtojë postin Ministrit serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç. Ai ka thënë “Më pëlqejnë gazetaret që përkulen kollaj”, ndërsa një gazetare që merrte prononcimin e tij u përkul për t’i lënë hapësirë kamerës për filmim. Por kjo deklaratë duket se nuk i ka pëlqyer mediave serbe.

Pas këtij komenti ofendues, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do ta shkarkojë ministrin e Mbrojtjes, pasi sipas tij asnjë nuk mund të bëjë komente seksiste kundër grave. “Asnjë nuk mund të bëjë komente seksiste kundër grave. Gashiç, ministër shumë i mirë mik i imi, por ai nuk mund të qëndrojë më në detyrë”, ka thënë Vuçiç.

Duke folur sot, Vucic tha se ishte i shokuar dhe i befasuar kur dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, duke shtuar se “këto gjëra nuk mund dhe nuk duhet t’i ndodhin askujt”. Kryeministri serb tha se do të ishte mirë që Gashic të kërkonte falje, por sipas tij “një ndjesë nuk është e mjaftueshme”.

“Ne duhet të mbrojmë të gjitha gratë në Serbi, ky ishte një mesazh i keq për të gjitha femrat dhe kur mora detyrën si kryeministër thashë se Serbia do të jetë një shtet modern dhe i denjë. Një vend ku gratë nuk fyhen, ku nuk ka maskilizëm dhe fyerje seksiste”, tha Vucic.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb