MAL I ZI- Pas akuzave nga një polic, Ministri i Brendshëm malazez, Rasko Konjevic ka mohuar zërat se ai ka shkuar me prostituta, duke e quajtur një “gënjeshtër të shëmtuar”. Në një konferencë shtypi të mërkurën, Konjevic tha se kishte ngritur padi pasi kishte vënë re se policia në departamentin e anti­krimit të organizuar në bashkëpunim me kriminelët dhe mediat, ishin duke u përgatitur për të diskredituar reputacionin e tij.

Raportet e medias thanë se ministri u akuzua nga një polic, i quajtur Djoko Golubovic, i cili pretendonte se Konjevic kishte “vizituar” prostituta për një periudhë të gjatë. Golubovic u arrestua të mërkurën me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe gjykata vendosi që ai të rrijë tri ditë në paraburgim.

Në dy muajt e fundit, policia ka kryer disa operacione kundër prostitucionit në Mal të Zi, e cila konsiderohet e paligjshme dhe për të ka dënime të ashpra me burg.

Në një aksion policor të quajtur “kukulla” në fund të gushtit, Zheljka Rolovic nga qyteti turistik i Kotorrit u arrestua pasi dyshohet se ka ngritur një rrjet prostitucioni me disa gra të tjera.

Ajo dyshohet për organizimin e shërbimeve seksuale në “hotele, vila, anije dhe vende të tjera”, në qytetet bregdetare te Malit të Zi. Fotografitë e Rolovic nga udhëtimet e saj të shumta në mbarë botën, në hotele luksoze kanë pushtuar mediat. Thuhet se, policia ka gjetur se në listen e klientëve të saj përfshiheshin edhe dy të famshëm dhe politikanë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb