SHKODËR

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur në një lidhje telefonike nga Shkodra për situatën e reshjeve dhe përmbytjeve në disa zona. Peleshi tha për Neës24 se situata është në përmirësim pasi nuk ka reshje aktualisht dhe uji ka një tërheqje për shkak dhe të erës. Sipas tij, menaxhimi i kaskadës dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese ka bërë që të shmanget një situatë si e vitit 2010.

“Në njësinë Ana e Malit, në fshatin Obot e njëjta situatë si dje. Ka një përmirësim të lehtë, disa cm rënie të nivelit dhe për shkak të erës që po fryn, ujërat do të tërhiqen me shpejtësi drejt detit. Reshjet tani kanë ndaluar dhe nuk rrezikohet pjesa e Nënshkrodrës, fusha e Obotit, çka ka qenë problematike në vitet e kaluara. Është gjithmonë frika e vitit 2010 të cilave duam t’ju shmangemi. Reshjet nuk i kemi në dorë, por menaxhimin e kaskadës. Kaskada e Drinit është menaxhuar mirë. Në HEC-in e Fierzës 10 metra rezervë. Nuk ka shkarkime në Vaun e Dejës. për shkak të reshjeve në ditët në vazhdim ne parashikojmë që nuk do të ndodhë më e keqja. Jam optimist që ditë pas dite situata do jetë më e mirë. Jemi në gatishmëri të plotë. Janë ngritur në të gjitha bashkitë dhe prefekturat shtabet. FA-të, janë me gatishmëri të shtuar që prej 2 ditës. Kemi në territor, mjete e forca prezentë, që kanë transportuar rreth 100 persona në Lezhë e Shkodër. Kanë evakuuar disa familje”, deklaroi Peleshi.

Ai theksoi se në momentin që flasim nuk ka asnjë familje në rrezik apo të izoluar.

“Kemi lajme shumë të mira nga Lezha. Reshjet kanë pushuar dhe kanalet kulluese kanë funksionuar për mrekulli. Ka një përmirësim të jashtëzakonshëm nga dje. Ka tërheqje të ujërave të mëdha. Ka ndodhur brenda pak orësh. Puna në to ka bërë që të kemi një situatë kaq optimiste sot.

Dëmtimi i rrugës Kashnjet-Lezhë, prefekti më ka siguruar që i kanë marrë masat dhe do rehabilitohet shpejtë. Është rruga e fshatit me disa familje. Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, reshje nuk ka, kështu që përmirësimi do të vijojë.

Kemi disa akse ku ka dëmtime por forcat tona janë prezentë për rehabilitimin e tyre. Në Kallmet një aks rruge për shkak të daljes së lumit nga shtrati ishte dëmtuar por forcat tona kanë punuar për ta rehabilituar dhe tashmë është e aksesueshme. Në fshatin Obot kemi lënë mjete të rënda për të siguruar aksesin me fshatin”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Sa i përket tokave bujqësore të përmbytura Peleshi u shpreh se zona e Obotit në Shkodër është nën nivelin e detit dhe me reshte të shtuara ndodhi përmbytje.

“Në qoftë se flasim për zonën e Obotit, është nën nivel. Është një zonë që përmbytet sistematikisht sa herë ka reshje të shtuara. Një gjë është pozitive, menaxhimi i kaskadës dhe i kanaleve kulluese. Prurjet pothuajse dy herë më të larta se në vitin 2010 kur ndodhi përmbytja e madhe. Me prurje 4200 m3 jemi në një situatë minore në krahasim me të shkuarën. Reshjet kanë sjellë fryrjen e lumenjve, Gjadër, Drini, lumit Buna dhe ka nxjerrë aty këtu lumenjtë nga shtrati që kanë përmbytur toka bujqësore. Në ditët në vijim nuk mund të vihet bast sepse do kemi rritje të reshjeve, sidomos në datën 11”, tha ai.

Peleshi u shpreh se në Jug nga Vjosa, situata është pozitive. “Ka rënë niveli në urën e Mifolit dhe niveli në Memaliaj që është treguesi, nga 5.4 dje, para një ore 4 metra dhe reshje të shumta nuk ka. Nuk jemi pranë rrezikut të përmbytjeve nga Vjosa në qarkun e Fierit dhe Vlorës”, tha Peleshi.

Ai deklaroi më tej se reshjet do të rikthehen nga sot pasdite por frymëmarrja që po marrim nga ndalimi i tyre shpresojmë që nuk do na çojë në skenar më të këqij. “Janë 1800 forca të angazhuara nga njësitë vendore dhe 260 forca të FA-ve në gatishmëri. 1200 forca të tjera të angazhuara nga forcat tona janë në të gjitha qarqet. Shpresoj dhe parashikoj që nuk do kemi emergjenca, rrezikime të jetëve të njerëzve. Temp janë relativisht të larta për sa i përket dëborës, por në ditët në vijim do ketë rënie të temp duke sjellë dhe ulje të prurjeve në lumenj.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në territor. Të gjitha hallkat e zinxhirit të emergjencave civile kanë funksionuar shumë mirë”, tha ai.

I pyetur se si është bashkëpunimi me bashkinë Shkodër, Peleshi tha se nuk është në nivelin që do donim të ishte por Agjencia ka arritur të koordinojë punën. “Ku bashkia nuk funksionon siç duhet kompensohet me rolin e prefektëve tanë. Me emergjencat nuk mund të bëhet politikë. Nuk fitohet vota me emergjencat.

Nuk jam takuar, do të preferoja ta takoja dhe të më shoqëronte, mbase ka pasur angazhime të tjera, më të rëndësishme. Nuk kam komunikuar me kryetaren e Bashkisë por besoj që e ka marrë informacionin nga shtabi i emergjencave”, tha ai.

Lidhur me dëmet, ministri i Mbrojtjes deklaroi se natyrisht që ndikojnë në ekonominë familjare të familjeve të prekura, por se nuk jemi në një periudhë të prodhimeve bujqësore, por rezervat mund të jenë prekur. “Nuk jemi në skenarë të dëmtimeve të mëdha ekonomike. Ne do jemi të përgatitur për të asistuar dhe me ndihma ushqimore aty ku kërkohet por nuk vlerësohet një dëm i madh ekonomik”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb