SERBI-Ministri i Brendshëm në Serbi, Nebojsha Stefanovic ka mohuar se janë arrestuar ushtarët serbë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. Ministri serb ka deklaruar se me pjesëtarët e FSK-së vetëm kanë zhvilluar disa diskutime.

“Asnjë prej tyre nuk u arrestua, ka pasur vetëm biseda pasi ata mund të kenë njohuri për tema të caktuara. Kur ne vlerësojmë se dikush mund të jetë rrezik për sigurinë e Serbisë, atëherë ne flasim me ta”- tha Stefanovic, transmeton lajmi.net.

Ai e ka mohuar arrestimin edhe pse pikërisht zyrtari lartë serb, Marko Gjuric kishte thënë se pjesëtarët serbë të FSK-së do të dënohen nga Serbia.

Ministri serb foli edhe për hetimet në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanovicit. Stefanovic akuzoi Kosovën se nuk po bashkëpunojnë që kjo vrasje të zbardhet.

“Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me Kosovën, nuk duam të spekulojmë se kush e ka vrarë. Është në interesin tonë t’i gjejmë vrasësit dhe ata që e kanë dhënë urdhërin”- theksoi Stefanovic.

Ky i fundit gjithashtu përsëriti deklaratën se nëse Haradinaj futet në Serbi, ai do të arrestohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb