Nga: ERION KACORRI*
TIRANE –
“Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të cilësohet jo i mirë, jo i mjaftueshëm, Biem dakord prej disa vitesh që më shumë ka mbretëruar një lloj ndjesie mes dy shteteve tona e karakterit folklorik. Një patriotizëm ekonomik folklorik i cili më shumë ka konsumuar teori, ka thurur fjalë të bukura në relacionin Prishtinë-Tiranë sesa që ka bërë punë praktike”. Ky është konstatimi që bën ministri i Ekonomisë së Kosovës, Zoti Blerand Stavileci gjatë emisionit “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në “News24”.
Sipas ministrit Stavileci, nuk është momenti për t’i hedhur fajin dikujt për këtë situatë qoftë në Shqipëri apo Kosovë, por sipas tij të gjitha partitë kanë pasur rastin që të jenë pjesë e shumicës dhe të ndërmarrin veprime konkrete.
“Sigurisht që nuk mund t’i mohojmë disa arritje dhe suksese por mendoj që do të duhet që vullnetin e mirë të shprehur mes dy qeverive që deri më tani në karakterin ndërinstitucional ka funksionuar tashmë ta vendosim në një fushë tjetër, në fushën e sektorit privat. Në fushën e bizneseve, që bizneset e çdo lloj fushë të bashkëpunojnë njëra me tjetrën, të krijohen tregjet e përbashkëta, dhe Kosova me Shqipërinë të mund ta plotësojnë njëra-tjetrën. Aty ku Shqipëria prodhon apo ofron shërbime, Kosova që nuk i ka t’i marre nga Shqipëria dhe anasjelltas. Kur këtë e shohim nga bilanci tregtar, nga eksportet dhe importet të cilat sado që janë në anën e Shqipërisë, nëse e marrim totalin, pra rreth 150 milion është vërtet shumë pak dhe sidomos nëse e krahasojmë atë me volumin Kosovë-Serbi, është diçka që duhet të na bëjë të mendojmë shumë thellë duke filluar që ta ndryshojmë këtë tendencë”.
I pyetur lidhur me eksodin masiv të Shqiptarëve të Kosovës dhe nëse ka përgjegjësi ministria e ekonomisë në Prishtinë për pakënaqësitë e qytetarëve, ministri Stavileci shprehet se këto ngjarje dhe pamje tronditëse që na përcillen gjatë kësaj periudhe natyrisht që e bën të shqetësohet secili prej nesh. “Pavarësisht asaj se nuk kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë, edhe si ministër, por edhe si qytetar i Kosovës që vështron dhe jep mendime për situatën e krijuar nuk do të doja të humbasim shumë kohë për të thënë se cili është fajtori, por që të punojmë shumë më shumë që ta kthejmë këtë gjendje në një gjendje tjetër duke rikthyer shpresën, optimizmin dhe ndjesinë e pozitivitetit të qytetarët e Kosovës”.
Eshtë e vërtetë që ka probleme, është e vërtetë që nuk kemi një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme deri në atë masë sa ne në këtë moment do tu kundërpërgjigjeshim plotësisht kësaj situate, por pa dashur që ta relativizojë problemin, për të dhënë një analizë të merituar për atë çfarë ka ndodhu, por edhe për të ndërmarrë masa dhe veprime konkrete për të ardhmen, mendoj që duhet të bëjmë analiza më të thella shprehet ministri Stavileci i cili nënvizon se nuk është se ka vetëm një shkak apo vetëm një rrethanë që ka ndikuar në këtë situatë. Ka shumë shkaqe dhe shumë arsye shprehet ministri Stavileci. “Nuk është se treguesit makro ekonomikë kanë ndryshuar apo kanë pësuar rënie nëse e krahasojmë vitin 2014 me muajt e parë të këtij viti. Ka edhe arsye të tjera të largimeve të Shqiptarëve të Kosovës. Ka disa grupe njerëzish. Ka njerëz te cilet nuk kanë pasur asnjë shpresë sepse nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar, po ashtu ka pasur raste të tilla ku njerëzit kanë pasur paga të tilla që nuk janë të një niveli që atyre mund t’ju sigurojë një mirëqenie, por nga ana tjetër kemi pasur familje, njerëz profesionistë të cilët kanë lënë punët e tyre në kërkim të një pune apo mirëqenie më të madhe në vendet e BE-së deklaron ministri i ekonomisë së Kosovës, Blerand Stavileci për televizionin “News24”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: