AUSTRI- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, marrin pjesë në konferencën e Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm të Ballkanit dhe BE, në Vjenë, Austri, në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Në takim merr pjesë edhe Komisioneri për Sigurinë në BE, Dimitris Avramopulos.

Ministri Tahiri, komisioneri i BE për sigurinë Avramopulos, Ministri i brendshëm austriak dhe Ministri i Jashtem serb Ivica Daçiç, kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp

Konferenca pas takimit të Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm të Ballkanit dhe të BE mbi çështjen e luftës kundër terrorizmit. Ministri Tahiri u shpreh gjatë kësaj konference se forcimi i demokracisë dhe shtetit ligjor, janë themelore në luftën kundër terrorizmit.

“Lufta kundër terrorizmit është një sfidë për të gjitha vendet e Ballkanit, të Evropës e me gjere. Ndaj duhet të sigurohemi që bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së të jetë cilësor, sepse lufta kundër terrorizmit nuk mund të varet nga të qenit ose jo anëtar i Bashkimit Evropian, duke qenë se kërcënimi nga terrorizmi është i njëjtë për të gjithë. Shqipëria është një vend me harmoni fetare për t’u marrë shembull, por si çdo vend tjetër nuk i shmanget dot rrezikut të terrorizmit. Gatishmëria e Shqipërisë për të bashkëpunuar me partnerët është e plotë. Ne besojmë se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme. Forcimi i shtetit ligjor, reformat demokratike, reforma në drejtësi dhe rritja e nivelit ekonomik mbeten detyra të rëndësishme, ashtu sikundër procedimet dhe ndryshimet ligjore kundër fenomenit të luftëtareve te huaj”, tha Tahiri.

“Mbledhja e sotme dëshmon rëndësinë që ka bashkëpunimi në përballimin e fenomenit të terrorizmit, sepse asnjë shtet nuk mund t’ia dalë i vetëm. Ballkani ka rëndësi të veçantë nga pikëpamja gjeografike, si rajon i afërt me zonat e prekura nga krizat, që shërben si një digë në përballimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë Mesdheun jugor dhe lindor.

Masat parandaluese dhe sanksionuese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë vitit 2014 kanë pasur efekt në rënien e ndjeshme të numrit të shtetasve shqiptarë të angazhuar në konfliktet e huaja”, tha Bushati.

Ministri Bushati vlerësoi gjithashtu rolin e krerëve të besimeve fetare. “Gjithashtu, roli i krerëve të besimeve fetare ka qene i pazëvendësueshëm, duke treguar se angazhimi dhe bashkëpunimi me ta është një element kyç në përballimin e fenomenit. Në mënyrë që masat të kenë efekt dhe të jenë të qëndrueshme, duhet që Ballkani Perëndimor të kthehet në një rajon të vërtetë nga pikëpamja e sigurisë, duke ndarë një agjendë gjithëpërfshirëse dhe metodologji të përbashkët me BE-në. Mungesa e angazhimit dhe bashkërendimit rrezikon ta kthejë dobësinë në destabilitet”, tha Ministri i Jashtëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb