Ministria e Arsimit i është përgjigjur PD e cila dje me anë të ish-deputetes Albana Vokshi denoncoi vjedhjen epagesave të orëve shtesë ndaj mësuesve.

Sipas njoftimit zyrtar, MASR thekson se për muajin shtator janë 14 mijë mësues që kanë përfituar nga orët shtesë por ka 3 raste se si përllogaritet pagesa.

Në rastin e parë sipas Ministrisë, kur mësuesi kryen 270 minuta shtesë për orë 45 minutëshe dhe dalin 6 orë shtesë. Tek e dyta, kur dalin 300 minuta për orë 45 minutëshe, dalin 7 orë shtesë, kurse tek e treta 100 minuta për orë 45 minutëshe, dalin dy orë shtesë plus pesë orë për klasë kujdestari llogaritet në 7 orë.

Ndërkohë Vokshi dje tregoi tre shembuj se si mësuesit kryenin më shumë orë shtesë por nuk paguheshin për shumicat prej tyre por duket se MASR i përllogarit me një metodë tjetër.

NJOFTIMI NGA MINISTRIA E ARSIMIT

MASR – SQARIM MBI PAGESËN E ORËVE SHTESË PËR MËSUESIT

Në lidhje me pagesën e orëve shtesë për mësuesit dhe pretendimin e ngritur nga opozita se mësuesit bëjnë në javë mbi 40 orë, por paguhen vetëm për 5-6 orë, MASR dëshiron të sqarojë opinionin publik se ky është keqinterpretim shifrash në përllogaritjen e kohës shtesë, pasi barazohen orët 45 minutëshe me ato 25 ose 30 minutëshe.

Theksojmë se për muajin Shtator janë rreth 14 mijë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar që kanë përfituar pagesë për orët shtesë të kryera.

Sipas përllogaritjeve, pagesa ndaj një mësuesi nga orët shtesë shkon deri në 8,500 lekë në muaj. Sqarojmë gjithashtu se mësuesit punojnë në klasa që janë në gjysmën e kapacitetit, sipas përcaktimit në udhëzimin për numrin e nxënësve në klasë.

Më poshtë po sqarojmë të tre rastet-ilustrim të paraqitura nga opozita dhe orët shtesë që kryen mësuesi në secilin rast.

RASTI I PARË:

Minuta në kohë normale:          18×45’=810′

Minuta në situatë Covid-19:     36×30’=1,080′

Mësuesi kryen 270′ shtesë ose 270’÷45’=6 orë shtesë.

TË PAGUARA!

RASTI I DYTË:

Minuta në kohë normale:          20×45’=900′

Minuta në situatë Covid-19:     40×30’=1,200′

Mësuesi kryen 300′ shtesë ose 300’÷45’=7 orë shtesë.

TË PAGUARA!

RASTI I TRETË:

Minuta në kohë normale:       20×45’=900′

Minuta në situatë Covid-19:            40×25’=1,000′

Mësuesi kryen 100′ shtesë ose 100’÷45’=2 orë shtesë (plus 5 orë për klasë kujdestari)

7 ORË TË PAGUARA!

Gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë mësuesit për angazhimin e treguar në këtë situatë të pazakontë dhe i sigurojmë se mbështetja dhe mirënjohja e MASR për ta nuk do të mungojë kurrë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb