TIRANË – “Këta që i qajnë hallin “grupit të yshtur politikisht të studentëve, janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura, apo dru zjarri. E drejta e protestës nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve.” – Kjo është në thelb, përgjigja që Ministria e Arsimit i ka kthyer sot Partisë Demokratike dhe vetë kreut të saj, Lulzim Bashës, mbi grevën e 32 studenteve.

Në një deklaratë për shtyp, MAS deklaron sot se “se grupi i yshtur politikisht, tashmë edhe publikisht, janë studentë të institucioneve që i’u hoq licenca në korrik të vitit 2014. Ndërsa këta që u vunë në korr për ti qarë hallin, janë të njëjtët që i licencuan kundër ligjit, dhe i lanë të funksionojnë jo vetëm kundër ligjit por kundër çdo lloj arsyeje minimale. Këta që i qajnë hallin janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura, apo dru zjarri. Sot i dalin në mbrojtje sistemit që vetë kishin ngritur. Ky është vizioni i tyre për arsimin, ky është vizioni i tyre për Shqipërinë.

Së dyti, këtyre studentëve ju dha një shans i dytë për të vijuar studimet e tyre edhe në Universitet Publike. Jashtë sistemit të meritës, pa konkurrim si studentet e tjerë.

Së treti studentët në fjalë, i kanë ditur shumë mirë kushtet me të cilat do të transferoheshin që nga viti i kaluar dhe kanë shprehur falënderimin ndaj MAS për gjithë ndihmën e dhënë. Pse kjo grevë tani? Pse gjatë sezonit të provimeve dhe sezonit të reformës në arsimin e lartë?

Së katërti, ashtu siç kemi bërë në çdo hap gjatë dhe pas mbylljes së universiteteve të paligjshme, ashtu siç bëmë gjatë debateve për kuotat dhe tarifat, ashtu siç bëmë dhe do vazhdojmë të bëjmë gjatë gjithë reformës, Ministria i është gjendur pranë çdo studenti.

Por thënë sa më lart, dhe së fundmi, MAS dhe Qeveria Shqiptare mbeten të vendosur në rrugën e reformës së arsimit në vend dhe nuk do të lejojmë që askush të marrë peng zhvillimin. 170 mijë studentët shqiptarë dhe familjet e tyre, meritojnë një sistem arsimor cilësor që ofron dije të mirëfillta, që përgatit të ardhmen e vendit, që ofron cilësi. E mbi te gjitha, procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush. As nga partitë politike, as nga ata që përdoren nga partitë politike. Në universitetet publike studiojnë mijëra studentë, të cilët kanë të drejtën e tyre për mësimdhënie cilësore dhe të pandërprerë. E drejta e protestës është e drejtë e çdo kujt, por ajo nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve, – përfundon deklarata e MAS.

POLICIA I JEP FUND GREVES, NXJERR FORCERISHT STUDENTET

Policia i ka dhënë fund sot, grevës së urisë së saponisur nga disa studentë të transferuar nga universitetet private në ato shtetërore me kërkesën e balancimit të atarifave me të gjithë studentët e tjerë. Ata u nxorën jashtë godinës së Fakultetit të Infermierisë dhe u shoqëruan nëpër komisariatet e Tiranës. Në mbështetje të grevës ishte dhe PD-ja, e cila kishte aty përfaqësuesin e saj, Ervin Salianjin. Pas ndërhyrjes së Policisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin se “ka vendosur të lejojë protestën, mendimin ndryshe, kundërshtimin e Qeverisë së tij.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb