TIRANE– Përmes një deklarate, Ministria e Brendshme thotë se raporti i CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun. Sipas ketij institucioni nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.

Ministria e Brendshme thekson se nuk ka asnjë raport të CIA-s gjatë këtyre ditëve të fundit, dhe këtë raport e konsideron “produkt të organizatës The World Factbook që përditësohet çdo javë”. Sipas Minisrisë së Brendshme të dhënat në raportin e CIA për Shqipërinë dhe Ballkanin, janë të njëjta me atë të vitit 2017.

Deklarata e plote e Ministrise se Brendshme:

Ministria e Brendshme sqaron se lajmi i dalë në media në lidhje me publikimin e një raporti të ri të CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.

Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.

“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.

Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.

Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit.



(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: