Komisioni parlamen tar i Sigurisë Ko mbëtare miratoi dje me votat e mazhorancës kërkesën e Ministrisë së Brendshme për ta rritur me 143 milionë lekë buxhetin e këtij institucioni për vitin e ardhshëm. Zv/ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj sqaroi para deputetëve se kjo shtesë fondi do përdoret për rritjen e pagave të efektivëve të Gardës së Republikës, në nivelin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura.

“Kërkojmë miratimin e një fondi shtesë prej 143 milionë lekësh për Gardën e Republikës, që do të përkthehen në rritje rroge për punonjësit e këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Rrogë e cila do të njehsohet me pagat e punonjësve të policisë apo Forcave Ushtarake. Pjesa e fondit që do të shkojë për rritje të pagave, do të jetë 123 milionë lekë, ndërsa 20 milionë lekë do të jenë kontribute shoqërore”, – sqaroi Mustafaraj. Gjithashtu, zv/ministri i Brendshëm, kërkoi edhe rialokimin e një fondi prej 200 mijë lekësh nga zëri investime, në zërin shpenzime operative, që do shërbejnë sipas tij për të menaxhuar me sukses procedurën e regjistrimit në gjendjen civile. Por nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka shprehu rezerva për buxhetin e paraqitur Ministria e Brendshme.

“Rialokimi i fondit nga investime, në shpenzime operative, rrëfen edhe njëherë se ju nuk doni të ndërtoni. Shqipëria sot ka nevojë për më shumë godina të modernizuara të policisë, RENEA-s e FNSH-së, sesa një riregjistrim të popullsisë, që është i rëndësishëm, por jo primar”, – argumentoi Noka. Në cilësinë edhe të ishministrit të Brendshëm ai u shpreh spektik edhe për kërkesën e shtimit të fondeve me qëllim rritjen e pagave të punonjësve të Gardës së Republikës, duke pretenduar se paratë po shpenzohen për luksin e qeveritarëve dhe jo për të rritur sigurinë në vend.

“Këtu po shkojnë para për t’u bërë rrush e kumbulla, siç u bënë paratë rrush e kumbulla me tenderin që po ministria juaj zhvilloi për makinat”, – akuzoi Noka duke iu drejtuar zv/ministrit të Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj. Gjithashtu, Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare miratoi dje edhe projektbuxhetin e SHISH- it për vitin 2016. Më tej, komisioni shqyrtoi edhe pr/buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes, ku i ftuar ishte zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Sipas Koçit, buxheti plotëson të gjitha kërkesat e ministrisë që ai drejton dhe ka në thelb modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përgjigjen pozitive të të gjitha kërkesave të NATO-s. Pas diskutimeve edhe buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes u miratua nga anëtarët e komisionit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: