TIRANË- Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e linjës po shtojnë vëmendjen ndaj tregjeve ushqimore ne vend, në prag të festave të fundvitit, për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve dhe shtuar sigurinë ushqimore ndaj konsumatorëve.

Inspektorët ushqimor dhe specialistë të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës, kanë në monitorim 15 pikat e tregjeve ushqimore dhe bujqësore të shitjes me pakicë në kryeqytet, por edhe shitësit ambulantë, me qëllim parandalimin e abuzimeve me çmimet për festat e fundvitit, një fenomen ky që çdo vit rëndon mbi konsumatorët shqiptarë.

Sipas specialistëve, ngritja e tregjeve alternative në Tiranë është një nga mënyrat për të ruajtur stabilitetin e çmimeve të shitjes në prag të festave të fundvitit, që shoqërohet me fluks në rritje të konsumit të ushqimeve.

Ndërsa në zyrën e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve është rritur vëmendja ndaj ankesave të konsumatorëve adresuar çështjes së çmimeve të shitjes së ushqimeve në këtë periudhë.

Ditët e fundit në një bashkëbisedim me gazetarët, Ministri Edmond Panariti, i bëri apel tregtarëve të mos abuzojnë me çmimet për shkak të kërkesës së lartë në këto ditë festash, por të marrin në konsideratë edhe zbritje të çmimeve.

Gjatë kësaj jave, çmimet e perimeve dhe zarzavateve kanë pësuar rritje kundrejt një jave më parë. Në pikat e shitjes me pakicë domatet kushtojnë 90 lekë/kg nga 40-50 lekë/kg që ishte në nisje të javës.
Çmimet e kastravecit, spinaqit, sallatës, specit etj janë rritur me 30%-40%. Ndërsa frutat tregtohen pothuajse me të të njëjtat çmime sa një javë më parë.

Tregtarët në pikat e pakicës shprehen se, rritja e çmimeve vjen nga krahu i ofertës. Prodhimet e sezonit janë drejt fundit, ndaj ka më pak prodhime vendi në treg e për pasojë çmimet më të larta janë të natyrshme për periudhën. Ndërsa eksporti është një arsye tjetër, çka e kufizon ofertën e qëndrueshme në treg.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: