Ministria e Drejtësisë, njoftoi të premten në mbrëmje se nuk ka asnjë të dënuar në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal, që të ketë shfaqur shenjat e COVID 19.

“Kemi ndjekur me shqetësim të gjitha lajmet e përcjella nga disa media elektronike apo statuse dashakeqëse në rrjetet sociale, ku pasqyrohej në mënyrë të rremë për raste të burgosurish që mund të jenë prekur me virusin “COVID-19”, konkretisht në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Reç”,- njoftoi Ministria e Drejtësisë.

“Këto lajme nuk kanë asnjë të vërtetë dhe janë shpifja e radhës, dhe për fat të keq jemi të detyruar që krahas vijimit të punës sonë intensive për të marrë të gjitha masat e duhura dhe për të garantuar shëndet të plotë të të gjithë të burgosurve, paraburgosurve dhe stafeve përkatëse që shërbejnë, të ndjekim dhe lajme të tilla që kanë si qëllim ngjalljen e panikut te publiku”,-vijon njoftimi.

“Por për të qënë transparent me publikun, informojmë dhe sigurojmë, se deri më tani, në IEVP-në Reç, ashtu si dhe në të gjitha IEVP-të e tjera në të gjithë vendin, nuk ka asnjë person që të ketë shfaqur shenja të virusit “Covid-19””,- thuhet në njoftim.

“Dje në mbremje, në IEVP Reç, Shkodër, ka patur disa pretendime për kushte jo të mira në institucion nga disa persona të cilët nuk janë të dënuar me vendim gjykate, por persona që janë në sektorin e paraburgimit dhe që po hetohen për vepra penale të krimit të organizuar. Pavarësisht kësaj, grupi i gatshëm i shëndetësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si pjesë e taskforcës të ngritur tashmë me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, ka reaguar menjëherë duke kryer kontrollin e nevojshëm shëndetësor të gjithë personave të paraburgosur në këtë sektor dhe në përfundim nuk ka rezultuar asnjë person me shënja të virusit “Covid-19””,- vijon njoftimi.

“Në respekt të transparencës me publikun sqarojmë se në vlerësim të situatës në të cilën ndodhemi, me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë janë marrë një sërë masash të shtuara mjekësore dhe në aspekt të sigurisë për të parandaluar dhe frenuar virusin “Covid-19” në 24 institucionet. Duke pasur primare sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të dënuarve, të paraburgosurve si dhe personelit që punon në IEVP-të përkatëse, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zbatuar dhe është në ndjekje të vazhdueshme të të gjitha urdhërave dhe udhezimeve të Ministrit të Drejtësisë si dhe në zbatim të Protokollit shtesë të shëndetësisë të miratuar”, thuhet në njoftim.

Ministria e Drejtësisë sqaron se komunikimet e të dënuarve po bëhen me Skype. “Ndërkohë, për një zbatim sa më të efektshëm të urdhërit të Ministrisë së Drejtësisë, Task Forca e Ministrisë së Drejtësisë së bashku me DPB ka ngritur grupe kontrolli të cilat po inspektojnë vazhdimisht të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin me rigorozitet të të gjitha masave në mbrojtjen e shëndetit të personave. Nga ana tjetër, me qëllim vijimin e komunikimit të të dënuarve me të afërmit e tyre, janë instaluar pajisjet e posaçme për të vijuar me një komunikim alternativ kontakti si: Shtimi i sasisë së minutave të komunikimit telefonik dhe tashmë me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë ka përfunduar instalimi dhe lidhja e kompjuterave në 24 institucionet të cilët mundësojnë komunikimin përmes platformës “Skype”. (për herë të parë në Shqipëri)”,- vijon njoftimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb