TIRANE – Përmes një relacioni të detajuar, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar qëllimet e projektligjit për amnistinë dhe arsyet që e shtynë për hartimin e tij. Në relacion ndër të tjera thuhet se “Dhënia e amnistisë, përmirëson kushtet e të dënuarve në burgje, për shkak të uljes së mbipopullimit në to”. Aktualisht llogaritet që mbipopullimi në burgje shkon në shifrën 17 për qind, çka ndikon ndjeshëm në mosrespektimin si duhet të të drejtave dhe shërbimeve ndaj të dënuarve dhe paraburgosurve. “Sikurse është referuar në progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2015, problematika kryesore për sistemin e burgjeve është mbipopullimi. Niveli i lartë i mbipopullimit në burgje dhe paraburgime ka vënë në vështirësi menaxhimin dhe funksionimin e disa aspekteve të organizimit të institucioneve penitenciare në drejtim të standardeve të kushteve të jetesës, programeve rehabilituese dhe riintegrimit social”, thuhet në relacion.
Gjithashtu, shpjegohet se amnistia për 9000 persona që ndodhen në shërbim prove, ndikon ndjeshëm në uljen e kostos në Buxhetin e Shtetit.

Relacioni i plotë
Qëllimi i projektaktit dhe objektivat që synohen të arrihen
Qeveria shqiptare në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit, bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të individit, si dhe nisur nga arsyet social-ligjore të humanizmit, riintegrimit social, rehabilitimit social, ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve europiane në sistemin penitenciar si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit, paraqet për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për dhënie amnistie”. Qeveria shqiptare është e bindur se dënimi penal duhet të jetë reagimi i fundit shtetëror ndaj sjelljeve të individëve, të përcaktuara si devijime social-ligjore. Prej kohësh, teoritë juridiko- sociale mbi qëllimin e dënimit kanë evoluar, nga koncepti i hakmarrjes dhe ndëshkimit ndaj autorit, drejt konceptit të riedukimit dhe rehabilitimit të tij. Këto koncepte përbëjnë idetë themelore të drejtësisë bashkëkohore rehabilituese.

Vlerësimi i projektaktit në raport me programin politik të Këshillit të Ministrave, me programin analitik të akteve dhe dokumenteve të tjera politike
Qeveria shqiptare është e përkushtuar të rivendosë shtetin e së drejtës dhe sigurinë ligjore në vend. Për këtë, është e nevojshme të rivëmë në lëvizje makinerinë e drejtësisë dhe organeve ndihmëse të saj përmes reformave të mëdha. Por, cilido qoftë drejtimi i kësaj reforme, ne jemi të orientuar drejt ligjshmërisë, respektimit të ligjit dhe zbatimit të tij, veçanërisht nga vetë shteti. Për këtë, sot çmojmë se është e nevojshme edhe aplikimi i kësaj amnistie.

Argumentimi i projektaktit lidhur me përparësitë, problematikat, efektet e pritshme
Amnistia është një masë e tillë nëpërmjet së cilës shteti “heq dorë” nga zbatimi i dënimit për krime të caktuara. Bëhet fjalë për një masë me një natyrë të përgjithshme, që çmohet të jepet dhe inspirohet për shkaqe të paqtimit social.
Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë, duke vënë në fokus edhe dinjitetin njerëzor dhe lirinë e individit. Në këtë kuadër, amnistia është një hap i domosdoshëm drejt kësaj reforme rrënjësore.
Amnistia është ajo që ne sot e identifikojmë si një zgjidhje tjetër, për të arritur tek një drejtësi të tillë, që të mbrojë mbi të gjitha jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për ata që kanë kryer një vepër penale.

Aplikimi i amnistisë sot nuk duhet parë vetëm si një “akt i mëshirës”, por edhe si një akt për të rivendosur legjitimitetin kushtetues në vendet e vuajtjes së dënimit, ku ai është shkelur në mënyrë sistematike.
Aplikimi i amnistisë, përveçse ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve në institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale, është një akt, i cili shpreh vullnetin shtetëror për të rivendosur dinjitetin e të dënuarve.
Sikurse është referuar në progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2015, problematika kryesore për sistemin e burgjeve është mbipopullimi. Niveli i lartë i mbipopullimit në burgje dhe paraburgime ka vënë në vështirësi menaxhimin dhe funksionimin e disa aspekteve të organizimit të institucioneve penitenciare në drejtim të standardeve të kushteve të jetesës, programeve rehabilituese dhe riintegrimit social.

Edhe Avokati i Popullit dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë sistemin e burgjeve e kanë ngritur çështjen e mbipopullimit si aspekt, i cili cenon të drejtat themelore të personave me liri të kufizuar dhe mund të ketë rrjedhoja deri në trajtimin denigrues dhe jo human.
Në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit, bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të individit, si dhe nisur nga arsyet social-ligjore të humanizmit, riintegrimit social, rehabilitimit social, ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve evropiane në sistemin penitenciar, si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit, Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve propozon ligjin “Për dhënie amnistie”. Aplikimi i amnistisë përveçse ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, uljes së mbipopullimit, konceptohet edhe si një akt për të rivendosur dinjitetin e të dënuarve.
Qeveria shqiptare synon që në përputhje me ligjin nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të orientojë organin e prokurorisë në ashpërsimin e dënimeve për veprat penale për të cilat aplikohet një masë dënimi me burgim mbi pesë vjet, ashtu sikurse duhet të procedojë më tepër në zgjidhjet alternative për vepra penale më të lehta.
Kjo qasje e re juridiko-sociale orienton drejt dhënies së dënimeve alternative që kanë kryesisht karakter humanitar dhe jo ndaj dënimit penal që ka kryesisht karakter ndëshkimor.

Dënimet alternative kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit të dënimit, pra megjithëse gjykata mund të disponojë me një dënim me burgim, njëkohësisht urdhëron që mënyra e ekzekutimit të këtij dënimi të mos bëhet nëpërmjet burgut, por nëpërmjet formave alternative që mundësohen nga Shërbimi i Provës.
Duhet thënë se edhe personat ndaj të cilëve zbatohen një prej alternativave të dënimit me burgim e ndiejnë forcën shtrënguese të shtetit në një mënyrë ose në një tjetër, pasi ata kufizohen në liritë dhe të drejtat e tyre, ndiejnë vrojtimin dhe mbikëqyrjen reale të autoriteteve zbatuese dhe kështu ata në këtë mënyrë vuajnë edhe pasojat e veprës së kryer prej tyre.

Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe ngritja dhe vënia në funksionim e Shërbimit të Provës, që ka një mision të posaçëm atë mbikëqyrjes dhe mbështetjes në zbatimin e alternativave të dënimit me burgim, të asistojë personin e dënuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ dhe për kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror dhe sjelljen e ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve. Shërbimi i Provës është një shërbim që ndikon drejtpërsëdrejti në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave që kanë kryer vepra penale dhe ka dhënë rezultate të kënaqshme në praktikë. Funksionimi i këtij sistemi ndikon jo vetëm te subjektet përfituese, autorët e veprave penale, por edhe në përmirësimin e situatës së sistemit penitenciar, i cili për shkak të mbipopullimit ka qenë jo pak herë në qendër të kritikave të raporteve të ndërkombëtarëve.
Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë masat organizative administrative të nevojshme për shtrirjen e Shërbimit të Provës pranë çdo rrethi gjyqësor, për të krijuar lehtësira procedurale në zbatimin e masave të dënimit alternativ, si dhe sigurimin e vazhdueshëm të sistemit të mbikëqyrjes elektronike që monitorohen nga shërbimi i provës.

Aktualisht janë mbi 9000 persona që mbikëqyren nga Shërbimit të Provës, masë e cila nga njëra anë ul mbipopullimin në burgje dhe ul koston buxhetore të shtetit dhe nga ana tjetër ndikon drejtpërdrejtë në rehabilitimin e shpejtë dhe riintegrimin e në shoqëri të këtyre personave.
Vlerësimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe harmonizimi me legjislacionin në fuqi vendës e ndërkombëtar.
Kjo nismë e qeverisë shqiptare për dhënie amnistie është e mbështetur në germën “ë”, pika 2, neni 81 të Kushtetutës, si dhe bazohet në parashikimet e nenit 71 të Kodit Penal, ku parashikohet se Kuvendi, me aktin e amnistisë përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.
Si rregull, amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.

Është fakt i pamohueshëm që numri i personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, përkundrejt kapaciteteve mbajtëse të këtyre institucioneve për fat të keq është më i madh dhe me tendencë rritje. Në këtë kuptim, numri i shtuar i të dënuarve në mënyrë të drejtpërdrejtë që është në masën 17% mbi kapacitetin, ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve ndaj tyre për shkak se edhe kapacitetet financiare dhe njerëzore nuk janë të pakufizuara, por çka është më e rëndësishme, ndikon ndjeshëm në hapësirat e tyre jetike.
Neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ndalon në mënyrë absolute trajtimin degradues në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut tregon qartë se mungesa e hapësirave të nevojshme për person në institucionet e vuajtjes së dënimit është një nga shkaqet kryesore për gjetjen e shkeljeve të nenit 3 nga shtetet anëtare të Konventës. Kësisoj, ulja sadopak e numrit të të dënuarve do të ndikonte drejtpërdrejtë në garantimin e standardeve bashkëkohore të trajtimit të tyre, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj tyre si dhe rrjedhimisht në respektimin e detyrimeve që burojnë nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Dhënia e amnistisë, përmirëson kushtet e të dënuarve në burgje, për shkak të uljes së mbipopullimit në to. Megjithatë, të gjitha arsyet e sipërcituara, shoqërohen me një analizë të kujdesshme, mbi kategorinë e personave të dënuar që do të amnistohen, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të rendit dhe sigurisë publike.

Nisma ligjore për një amnisti është shumë e rëndësishme në drejtim menaxhimit të drejtë të fondeve buxhetore, funksionimit brenda standardeve të sistemit të burgjeve në përgjithësi, pritshmërive pozitive të individit tek një shtet human, si dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Ministria e Drejtësisë, në konsideratë të të gjitha argumenteve të sipërpërmendura, çmon se kjo është periudhë e përshtatshme për të paraparë mundësinë e dhënies së amnistisë për të dënuarit.

Raporti i vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore
Projektligji i propozuar nuk gëzon karakter rëndues financiar-ekonomik, përkundrazi sjell efekte pozitive të pritshme financiare. Sa më sipër, ofrojmë paraqitjen e projektligjit “Për dhënie amnistie”, si nismë të Qeverisë shqiptare duke synuar: një nismë të re ligjore me karakter human në raport me personat e dënuar, dënimin penal, të orientuar drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb