TIRANË

Ministria e Drejtësisë kallëzon në SPAK një gjyqtare të shkarkuar dy muaj më parë nga vettingu. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e cilësoi rast skandaloz, të turpshëm të abuzimit me detyrën e lartë të gjykatësit, çështjen e gjyqtares, e cila sipas tij ka bllokuar një investim madhor me vendimmarrjen e saj. Bëhet fjalë për gjyqtaren Klorinda Çela, e cila u shkarkuar javën e fundit të tetorit nga KPK.

Njësia Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit, i kërkojnë SPAK-ut marrjen si të pandehur të gjykatëses Klorinda Çela, e cila, sipas tyre, ka dhënë një nga vendimet më flagrante haptazi të paligjshme në kundërshtim skandaloz me interesin publik, pak ditë përpara se Vetingu ta largonte nga sistemi i drejtësisë.

Manja u shpreh se sot do të bëjmë një kallëzim që do ta depozitojmë në SPAK lidhur me një vendimmarrje të një gjyqtarie të Gjykatës Civile të Tiranës e cila nëpërmjet një vendimi haptazi në kundërshtim me ligjin ka bllokuar një investim serioz të qeverisë shqiptare.

“Një nga objektivat madhore të reformës në drejtësi ishte dhe mbetet që ata gjykatës dhe prokuror të larguar nga vetingu të cilët kanë mospërputhje flagrante mes të ardhurave dhe pasurisë duhet të shkojnë përpara SPAK dhe para gjykatës për të marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur apo të paktën nuk kemi asnjë rast të një gjykatësi apo një prokurori të korruptuar që është ndëshkuar nga drejtësia në rast se nuk llogarisim ish kryeprokurorin çështje e të cilit nuk kaloji përmes vetingut. Mos të harrojmë që kjo është një kërkesë e popullit që e mbështeti masivesh reformën në drejtësi por dhe BE/SHBA në rrugën e zbatimit të kësaj reformë historike”, tha Manja.

Manja  e cilësoi rastin skandaloz, të turpshëm të abuzimit me detyrën e lartë dhe të nderuar të gjykatësit.

“Gjykatësja K.Ç, gjyqtare në Gjykatën Civile të Tiranës ka lenë të shkruar e zeza mbi të bardhë në formë e një thirrje për dënim nga drejtësia vendimin e saj të shëmtuar për të marrë peng fëmijët e kryeqytetit së bashku me prindërit e tyre të cilëve kjo qeveri dhe ky kryeministër u kanë premtuar një qendër të re kombëtare për fëmijët me teatër të ri kukullash, salla të reja të aktiviteti skenik e argëtues për fëmijët në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës me emrin që të gjithë e njohin të Gardës së Republikës së Shqipërisë. Spostimi i gardës dhe hapja e zonës për këtë qendër të re kombëtare për fëmijët si për bibliotekën e re kombëtare të Republikës së Shqipërisë është bërë bazuar në faktin se bëhet fjalë për një truall në pronësi të shteti shqiptar. Mbi këtë bazë Ministria e Kulturës ka përgatitur projekt idetë për këto dy institucione të reja publike të kulturës dhe ka zhvilluar dhe projektin e detajuar për qendrën e fëmijëve për të cilën qeveria ka akorduar një fond të konsiderueshëm për fillimin e ndërtimit të saj. Mirëpo gjykatësja K.Ç ka pasur një mendim tjetër”, tha Manja.


Klorinda Çela u përball me Vetingun për tre kriteret e vlerësimi, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional më 25 tetor 2021, teksa vendimi u dha më 28 tetor.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja pasi analizoi provat dhe faktet, vendosi shkarkimin nga detyra të Klorinda Çelës, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela dhe bashkëshortit të saj Ken Dhima, për shkak të problemeve me pasurinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb