Koncesioni i ndriçimit të rrugëve në Tiranë e Durrës është anuluar me arsyetimin se projekti i firmës daneze që e ka marrë këtë koncesion del mbi ligjin. Institucioni që i kërkon Ministrisë së Energjetikës të kthejë mbrapsht projektin është Ministria e Drjetësisë, e cila parashtron edhe arsyet. Sipas Ministrisë së Drejtësisë projekti për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve të bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe se në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin.

Në datën 1 prill të këtij viti, ministria e Energjetikës i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me një projekt vendim për të zhvilluar një tender ku do t’i jepej me koncesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrësit.

Por ministri i Drejtësisë duke i kthyer përgjigje e konsideron të paligjshëm zhvillimin e tij. Sipas ministrit është një cenim i autonomisë vendore në një kohe kur qeveria hyn në çështjet e administrimit të një shërbimi që i takon bashkive.

Përveç tejkalimit të kompetencave, ai vë në dyshim projektin, duke u shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të Kompanisë Daneze “HeSaLajt”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues. Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash thuhet në letër. Ndriçimi publik në rrugët kombëtare është përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa rrugët vendore i përkasin bashkive. Duke e sqaruar teknikisht ministri i Drejtësisë shprehet se projekti propozon hapësirë për përplasje të kompetencave ndërinstitucionale dhe përplasje të kompetencave me pushtetin vendor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb