Ndonëse e kanë kundërshtuar regjimin e egër “41-biss” Emiljano Shullazi dhe tre të tjerë do duhet të qëndrojnë dhe për një vit në rregulla të ashpra brenda burgut të sigurisë së lartë. Bëhet fjalë për Arbjon Alikon, Endrit Qyqjan, Emiljano Shullazin dhe Genci Ballën.

Me propozim të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke iu referuar informacionit të marrë nga strukturat e tjera përgjegjëse ligjzbatuese, në konsultim me Ministrin e Brendshëm dhe shprehjes së tij për miratimin e kërkesës së SPAK, Ministri i Drejtësisë urdhëroi zgjatjen edhe për një vit të vendosjes në regjim të posaçëm në burgun e sigurisë së lartë për 4 (katër) të burgosurit e mëposhtëm nga 7 (shtatë) që kanë qenë në këtë regjim!

Të burgosurit, të cilëve u zgjatet afati janë: Arbjon Aliko, Endrit Qyqja, Emiljano Shullazi dhe Genci Balla. Ndërkohë që ka përfunduar regjimi i posaçëm për Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Endrit Zelën. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po merr të gjitha masat për zbatimin e vendimeve!

Arbion Aliko është dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të FNSH-së Ibrahim Basha në Lazarat në qershor të vitit 2015.
Endrit Qyqja është dënuar si pjesë e grupit të Shullazit për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.
Genci Balla është dënuar me 17 vite burg si pjesë e grupit të xhihadistëve për rekrutimin e disa personave dhe për dërgimin e tyre në Siri.

Po çfarë është regjimi 41 biss?
Për herë të parë të parë në Itali termi “41-biss” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.

Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por burgjet shqiptare nuk kanë kushte për të plotësuar standardet e ‘41 biss’, dhe autoritetet janë përpjekur të përshtasin këtë lloj regjimi me atë që parashikon ligji shqiptar. Ky ligj u miratua me 76 vota në seancën palamentare të 21 dhjetorit 2018 dhe pritet të hyje në fuqi këtë të mërkurë.

Këtij regjimi në Shqipëri do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave. Në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë janë përcaktuar dy institucione, institucioni i parë është për të paraburgosurit, i cili është “Jordan Misja”, i njohur si 313 ku do të aplikohet ky regjim, ndërsa institucioni i dytë është IEPV Peqin ku do të aplikohet për të dënuarit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb