TIRANE- Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve bën të ditur se po vijon shpërndarja e dëmshpërblimit financiar për çdo ish-të dënuar politik të regjimit komunist, si dhe trashëgimtarëve sipas përcaktimit ligjor.

Në një njoftim për shtyp, MF sqaron se, fondi total i miratuar është 52,7 miliardë lekë dhe numri i ish të dënuarve politikë, të cilëve u është miratuar vlera e dëmshpërblimit financiar është 13,167 ish të dënuar. Fondi i miratuar për vitin 2015, është 2 miliardë lekë, i realizuar deri më tani, është si me poshtë:

Në kuadër të problematikave të shfaqura dhe ankesave të përfituesve, si ato të mospagesës së kësteve të 4-5, për kategorinë parësore, sqarojmë se pagesat nuk janë realizuar për mungesë dokumentacioni, të përcaktuar në aktet nënligjore për përfituesit si dhe janë ende në analizë dokumentacionet e mbërritura, sipas kategorive të përcaktuara në ligj.
Ministria e Financave konfirmon se gjatë këtij viti është paguar kësti i pestë për 907 dosje, dhe kanë mbetur për t’u paguar afërsisht 1563 dosje.

Sqarojmë gjithashtu se mospagesa e këstit të parë për kategorinë jo parësore dhe raste të mosshpërndarjes korrekte të vlerës së miratuar ka rezultuar mungesa e dokumentacionit të dërguar nga përfituesit, si një problematikë e trashëguar nga pagesat e kryera në vitin 2009-2013, si dhe disa pasaktësi të kryera në këtë periudhë, të cilat po korrigjohen në pagesat e kësteve vijuese. Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve kanë informuar me shkrim çdo përfitues që ka paraqitur ankesë, si dhe në faqen zyrtare të Ministrisë janë publikuar çdo javë informacionet mbi dokumentacionin e mbërritur, duke bërë që të rritet numri i dosjeve me dokumentacion të plotë për pagesë.

Mbi mospagesat në vijimësi të këstit të dytë për trashëgimtarët, janë bërë pasi janë evidentuar mangësi në dokumentacion. Për realizimin e pagesës së këstit të dytë për trashëgimtarët është publikuar lista e plotë e dosjeve që nuk kanë marrë këstin e dytë (gjithsej 2987 dosje), ku është publikuar informacioni mbi procedurën që do të ndiqet dhe dokumentacioni që duhet të dorëzohet, si dhe afatet ligjore për dorëzimin e dokumenteve në faqen zyrtare të Ministrisë së Financës.

Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit politik që përfitojnë këstin e dytë të dëmshpërblimit politikë duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimit tek Ministria e Financave:
1. Fotokopje të Kartës së Identitetit;
2. Vërtetim të llogarisë bankare të 6-mujorit të fundit të vitit 2015
Ministria e Financave vlerëson bashkëpunimin me përfituesit dhe është e vendosur në realizimin e plotë të detyrimit të saj ligjor dhe morale për shpërndarjen e vlerës së dëmshpërblimit financiar, për çdo ish-të dënuar politik të regjimit komunist, si dhe trashëgimtarëve, sipas përcaktimit ligjor. Deri në fund të vitit e gjithë vlera e dëmshpërblimit financiar të miratuar për kategorinë joparësore do të shpërndahet plotësisht.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: