TIRANË- Pas Ministrisë së Arsimit edhe Ministria e Financave ka paralajmëruar punonjësit e saj dhe të institucioneve të varësisë të mos përfshihen në fushatë. Po kështu MF ka vënë në dispozicion të qytetarëve një numër telefoni ku të denoncojnë.

Sot Ministria e Financave deklaron zyrtarisht se i ka kërkuar Prokurorisë procedimin penal për Kliton Bistrin, inspektor i hetimit tatimor, me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, pasi në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me udhëzimin e Kryeministrit, ka marrë pjesë në aktivitete partiake gjatë fushatës elektorale. Bistri u shkarkua një ditë më parë nga detyra.

“Veprimi i tij është në shkelje të hapur të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Financave ka urdhëruar me date 29 maj shkarkimin e menjëhershëm te z. Kliton Bistri”, deklaron sot MF.

Nisur nga ky rast, Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë qe të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve qe të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të Ministrisë se Financave ne aktivitetet partiake. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)”, apelon Ministria e Financave, e drejtuar nga ministrja teknike Helga Vukaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb