TIRANE – Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskalë paraprakë të shtatëmujorit 2016. Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar në masën 232.1 miliardë lekë, me një realizim pothuajse të plotë në raport me planin e 7-mujorit të vitit 2016. Shpenzimet e përgjithshme publike, për 7 mujorin e vitit 2016, arritën në rreth 214.1 miliardë. Ky nivel i realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve është shoqëruar me një suficit prej afërsisht 18 miliard lekë, e për rrjedhojë, një pozitë më të favorshme buxhetore.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 7 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 201.7 miliard lekë, 19.3 miliard lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2015 ose +10.6% dhe 1.3 miliard lekë më shumë se plani ose +0.6%.
Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 3.4 miliard lekë, 8.4% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe +2.1% më shumë se plani.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 23.4 miliard lekë, 9.8% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe +2.3 % ose 0.5 miliard lekë më shumë se plani, duke reflektuar rritjen e sasisë së cigares së importuar me 297 ton ose +21.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, që ka sjellë një rritje të arkëtimit me 1.7 miliard lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2015.
Tregues të tjerë shumë pozitiv janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës për shkak të rritjes së sasive krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, si më poshtë:

Karburante Import + Prodhim Vendi + 5.3%
Birre Import + Prodhim Vendi + 1.2 %
Verë Import + Prodhim Vendi + 14.2 %
Pije Alkolike Import + Prodhim Vendi + 38.5 %
Pije Energjike + 22.7 %

Të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 1.4 miliard lekë, -36.7% krahasuar me 7 mujorin e vitit 2015 dhe -36% krahasuar me planin, duke reflektuar rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 55 mijë ton ose +10.7%, të ardhurat nga renta u ulën me 709 milion lekë krahasuar me vitin e kaluar.
Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 54.4 miliard lekë, +3.7% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 98.1 %.
Të ardhurat nga TVSH nga Importi kanë performuar me 1.9% më pak, si rezultat i rënies së çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare ku kuotohen këto produkte, që megjithë rritjen e kursit të këmbimit të dollarit ka rezultuar një rënie e të ardhurave nga TVSH nga 27 lekë/ litër në 7 mujorin e parë 2015 në 22.1 lekë/ litër në 7 mujorin e parë 2016.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 19.5 miliard lekë, 17% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 95.5%, duke reflektuar rritjen e rimbursimeve me 19.1 % ose +0.7 miliard lekë si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktikimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 18.1 miliard lekë, 19.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 22.2 % më shumë se plani. Ndikim ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve si rezultat edhe i thjeshtëzimit të procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit, që po gjeneron performancë më të lartë.
Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 18.9 miliard lekë, pra kontributi i këtij zëri në të ardhura është 16.3% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe 2.4% më shumë se plani.
Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 18 miliard lekë, 14.9% më shumë se 7 mujori i vitit 2015, dhe me një realizim të planit në masën 94.1% ose -1.1 miliard lekë. Faktor me ndikim këtu përmendet konjuktura e çmimit ndërkombëtar të mineraleve duke sjellë uljen e sasisë dhe vlerës për njësi dhe në veçanti rënia e të ardhurave nga renta për naftën bruto nga 3.62 lekë/ kg në 7 mujorin e 2015 në 1.64 lekë/ kg në 7 mujorin e 2016.
Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 44.2 miliard lekë, 13.1% më shumë se 7 mujori i vitit 2015 dhe 2.1% më shumë se plani, si rezultat i rritjes së numri i kontribuesve aktivë me 46,800 persona ose 8.41% krahasuar me një vit më parë.
Ecuria e qëndrueshme e 7 mujorit dhe planifikimi i periudhës së mbetur të vitit garantojnë realizimin e të ardhurave të planifikuara vjetore nga Tatimet dhe Dogana.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 7 mujorin e vitit 2016, arritën në rreth 214.1 miliardë, ose një realizim në masën 89%. Kjo tregon se në terma të planit 7 mujor niveli i realizimit të shpenzimeve të përgjithshme publike ka qëndruar në nivele të njëjta krahasuar me një muaj më parë dhe me një tendencë rritëse për pjesën tjetër të vitit 2016.
Shpenzimet kapitale në raport me planin 7 mujor janë realizuar në masën 81%, duke paraqitur në këtë mënyrë një rritje krahasuar me një muaj më parë.
Në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për 7 mujorin e vitit 2016, është konstatuar një realizim në masën 75% i atyre me financim të huaj të planifikuara për këtë periudhë, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele më të larta, përkatësisht 89% e planit. Krahasuar me një muaj më pare, kemi rritje të realizimit të investimeve me financim të huaj.
Në përgjithësi ekziston një trend pothuajse i njëjtë realizimi i këtyre shpenzimeve nga të gjitha ministritë e linjës, kjo dhe si një efekt vonesave proceduriale dhe procesit të shtrirjes së mëvonshme të likujdimit të shpenzimeve për investime. Gjithashtu vlen të theksohet fakti që ky trend është i zakonshëm për këtë periudhë buxhetore, si shkak i paraqitjes me vonesë të situacioneve të punimeve për t’u paguar dhe vonesës në disbursim. Në këtë mënyrë pritet që disbursimet për realizimin e projekteve si me financim të huaj ashtu edhe me financim të brendshëm të rriten në muajt në vazhdim.
Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 7 mujor të këtij viti, prej 92 për qind, duke rezultuar 192.1 miliardë lekë. Krahasuar me një muaj më parë ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi.
Nga sa më sipër, në 7 mujorin e vitit 2016, performanca fiskale dhe buxhetore ka qënë në nivele shumë të mira duke realizuar planin e të ardhurave dhe duke u treguar e kujdesshme me kryerjen e shpenzimeve me qëllim rritjen e produktivitetit të ekonomisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb