TIRANË- Ministria e Financave ka marrë sot një vendim për disiplinimin e importit të karburantit. Sipas këtij vendimi përjashtohen nga taksat furnizimet me karburant deri në 200 litra për mjet, për të tjerët regjim standard doganor, sipas niveleve tarifore ligjore

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin nr. 36, datë 12.05. 2015 lidhur me kufizimin e sasive të karburantit që gjendet në serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare dhe në serbatorët e lëvizshëm të automjeteve private.

Sipas këtij urdhri të kreut të Financave shqiptare, që mbështetet në  Kodin Doganor Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dispozitave zbatuese të ligjit nr 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, do të përjashtohet nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare, vetëm për sasinë deri në 200 litra për automjet dhe për çdo udhëtim.

Po sipas këtij urdhri, duke filluar nga data 12.05.2015 është i përjashtuar nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare që kryejnë transport ndërkombëtar nëpër zonën e tyre kufitare me thellësi maksimale prej 15 km në vijë ajrore, me kusht që udhëtimet të kryhen nga banues të zonës kufitare, vetëm për sasinë deri në 150 litra për automjete për çdo udhëtim.

Urdhri i ministrit Cani saktëson se “nuk lejohet përjashtim nga detyrimet e importit për karburantin që mbahet në serbatorë të lëvizshëm, që transportohet nga automjete private dhe motoçikleta që i përkasin banuesve të zonës kufitare”.

Ministria e Financave sqaron të gjithë poseduesit e mjeteve që lëvizin për qëllime pune e biznesi dhe që importojnë karburant me mjetet e tyre, sipas përcaktimeve të bëra në këtë urdhër se, në rast të konstatimit nga administrata doganore të tejkalimit të sasive të karburantit, sipas përcaktimeve të mësipërme, ndaj subjektit/ individit zbatohen të gjitha detyrimet e importit, sipas nivelit tarifor të zbatueshëm në datën kur ndodh mosrespektimi, llojit të mallrave dhe vlerës doganore të konstatuar ose pranuar prej autoriteteve doganore kompetente në atë datë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet strukturave të saj, është ngarkuar nga Ministri i Financave për zbatimin e këtij urdhri.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb