TIRANE– Firot, fiaskot, ose humbjet gjatë procesit të punës nuk do të përfshihen në sistemin fiskal, nuk do të jenë pjesë e tatimit mbi fitimin. Ky është vendimi i fundit i qeverisë, i cili sipas Ministrisë së Financave përcaktoi normativat për firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë prodhimit, magazinimit dhe transportimit, etj, të cilat do të njihen për qëllime fiskale.

Me këtë synim, Ministria e Financave i ka propozuar qeverisë dhe ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj vendimin përkatës si përmbushje e detyrimeve ligjore nga ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si dhe krijimin e kuadrit nënligjor të domosdoshëm për njohjen si shpenzim të zbritshëm për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat. Vendimi do të përcaktojë firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë procesit të prodhimit, magazinimit apo transportimit për produktet, të cilat, më pas, do të mund të njihen si shpenzime të zbritshme për efekte të llogaritjes së tatimit mbi fitimin.

Sipas Ministrisë së Financave për produktet që janë subjekt i akcizës, vendimi ka parashikuar që ato do të jenë të lejuara sipas përcaktimeve të vendimit përkatës për akcizat. Për industritë prodhuese që përdorin lëndë djegëse në procesin e prodhimit, normativat e lëndëve të para djegëse që përdoren në prodhim do të jenë të lejuara sipas përcaktimeve në VKM e akcizës. Për duhanin, sipas përcaktimeve në vendimin përkatës të qeverisë për duhanin.

Ndërkohë për humbjet e procesit të prodhimit, për të cilat nuk ka akte të veçanta ligjore dhe nënligjore, sasia dhe vlera e lejuar e tyre do të llogariten nga inspektorët tatimorë, duke u bazuar në kartat apo skemat teknologjike të procesit të prodhimit. Ky parashikim u propozua pasi në sektorë të ndryshëm të prodhimit të industrive të ndryshme hasen vështirësi në përcaktimin e normativave për vetë natyrën e prodhimit, si dhe pamundësisë teknike.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb