TIRANË- Ministria e Financave ka njoftuar sot se ka nisur zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të kompanive të pronarit të televizionit Agon Channel, Francesco Becchetti.

Në një deklaratë, zyrtarisht bëhet e ditur se “Ministria e Financave, në vijim të respektimit të transparencës së plotë për publikun dhe median, informon se po zbaton Vendimin Nr. 768, datë 05.06.2015 të  Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë dhe urdhrin përkatës të ekzekutimit për sekuestrimin e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme të shoqërive “Energji” sh.p.k, “400” KE, “Fuqi” sh.p.k, “Cable system” sh.p.k dhe “Agon-set” sh.p.k.”.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mbi bllokimin e llogarive dhe kuotave në emër të personave të caktuar në vendimin e mësipërm, duke ju drejtuar institucioneve përgjegjëse për ekzekutimin e këtij urdhri.

Më 17 qershor 2015, në zbatim të këtij vendimi,  grupi i punës ka vijuar procedurat për evidentimin, sekuestrimin dhe marrjen në administrim të pasurive të caktuara sipas vendimit të gjykatës.

“Në prani të përfaqësuesve të shoqërisë “Agon-set” sh.p.k u kërkua zbatimi i vendimit të mësipërm. Me kryerjen e ekzekutimit të vendimit të mësipërm, u mbajt procesverbali mbi evidentimin dhe marrjen në dorëzim të aseteve, i cili u firmos nga të gjithë të pranishmit”, deklaron MF.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb