Qeveria e Turqisë u ka tërhequr vëmendjen shtetasve turq që jetojnë ose udhëtojnë për në Gjermani, duke përmendur retorikën raciste në rritje, para zgjedhjeve parlamentare gjermane, të cilat do të mbahen më datë 24 shtator.

Në një deklaratë të bërë, Ministria e jashtme turke ka kërkuar që shtetasit e Turqisë të kenë kujdes në Gjermani, ku ata mund të rrezikohen nga trajtimi ksenofobik apo racist. Ministria i ka këshilluar shtetasit që t’u shmangen debateve politike dhe tubimeve para zgjedhjeve. Në deklaratë theksohet gjithashtu se kandidatët gjermanë gjatë fushatës kanë bërë deklarime antiturke sepse duan të parandalojnë anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian.

Raportet midis Gjermanisë dhe Turqisë janë përkeqësuar prej puçit të dështuar të vitit të kaluar kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe për shkak të kritikës së fuqishme të Gjermanisë kundër goditjes së autoriteteve turke pas grushtit të shtetit, ku u arrestuan mbi 50 mijë persona. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb