NGA FATMIRA NIKOLLI*

TIRANË- Plot 240 milionë e 379 mijë lekë Ministria e Kulturës jep këtë vit vetëm për logjistikën e skenës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Shifra bëhet publike në sajtin online të kësaj ministrie. “Ministria e Kulturës, me fondin-limit të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit prej 24.379.000 (njëzet e katër milion e treqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë) lekësh me TVSH, në kuadër të projektit ‘Festivali i Gjirokastrës’, për zërin ‘Logjistikë Skene etj…’”.
Afati i fundit i dorëzimit të ofertave për kompanitë e interesuara është ora 11:00, data 20 prill, pra të hënën.
Shifra shkon për: Medaljone e trofe, banderola, banera, postera, çadra e tualete, 4 instrumente muzikore me qira, 16 lloje fishekzjarrësh, realizimin e një spoti të veçantë promocional dhe promovues që është menduar të kalojë në transmetimet mediatike kombëtare, gazetën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, pajisje të ndriçimit arkitekturor dhe skenik, pajisje të audios për skenën në kala dhe “sekondar open stage”, pajisje të realizimit të skenografisë dhe megaekrane LED D, pajisje për projeksionin grafik & video në kala, plus një uebsajt për festivalin.
Përmes një njoftimi, Ministria e Kulturës lajmëron zhvillimin e procedurës së përzgjedhjes së ofertave nga operatorët e specializuar për realizimin e projektit ‘Festivali i Gjirokastrës’ për zërin ‘Logjistikë Skene’ etj.
Dokumentacioni i specifikimeve teknike dhe ligjore të kësaj procedure gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës: www.kultura.gov.al.
Shifra përballë buxheteve
Ndërsa kjo shifër e majme jepet vetëm për ‘qira’ veglash që i duhen festivalit 5-ditor, institucionet kombëtare vuajnë buxhetet e përvitshme. Buxheti vjetor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk i kalon 100 milionët, buxheti vjetor i Galerisë Kombëtare të Arteve është jo më shumë se 40 milionë, ndërsa i Teatrit Kombëtar s’i kalon 100 milionët, ai i Muzeut Kombëtar jo më shumë se 50 milionë, në Gjirokastër, 240 milionë shkojnë për ndriçim, skenë e zë, e vetëm për 5 ditë. Pra qiraja ditore është 50 milionë.
Duke mos u hequr asnjë presje vlerave dhe rëndësisë së F.F.Gjirokastrës (në fakt, 240 milionët nuk shkojnë as për këngët, as për vallet e as kostumet), është disi e pavend që një shifër e tillë që u shkon privatëve, t’u bëjë karshillëk institucioneve kombëtare.
Shumëçka prej asaj që kërkohet në tender, dikur, ofrohej nga RTSH, i cili si televizion publik shtetëror, e kishte pjesë të punës ta bënte. Shteti duhet të kërkojë te privati, ato që i mungojnë atij.
Kjo nuk është hera e parë që shifra të tilla tenderohen për kompani private: 100-vjetori i Pavarësisë, ardhja e Papa Françeskut, 70-vjetori i Çlirimit, ardhja e Jay Z, janë shoqëruar me shpenzime të kësaj natyre. E shpenzime të kësaj natyre, kanë vlejtur vetëm për pak orë.
Në një vend ku, fondi i Galerisë Kombëtare ka nevojë për restaurim, teatrot duhen rindërtuar (gjendja e tyre skandaloze është pranuar nga vetë MK), ne i lejojmë vetes luksin e një shifre që do kënaqte edhe koncertet e këngëtarëve europianë.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/04/Njoftim-Ministria-e-Kultures.pdf” viewer=”google”]

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb