TIRANË- Ministria e Kulturës ka reaguar lidhur me qytetin arbëror të Komanit. Ministria e Kulturës nëpërmjet një deklaratë shpërndarë medias bën me dije se ka marrë në konsideratë opinion e ekipit të arkeologëve kërkues.

“Opinioni i ekipit të arkeologëve kërkues, u lexua dhe u mor në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pa u vënë fare në dyshim, ndonëse mungonin drejtuesit e projektit dhe nuk deleguan përfaqësueses të tjerë nga ekipi i tyre”, – citohet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës.

Sipas Ministrisë KKA përbëhet nga ekspertë të njohur të arkeologjisë dhe nga përgjegjës të institucioneve të përgjegjshëm për çdo vendim që merret.

“Zonifikimi i propozuar prej misionit të arkeologëve, – ndonëse nuk ka marrë ende formë ligjore u konsiderua i mirëqenë, pasi aktualisht zona e mbrojtur me ligj, që në vitin 1963, është vetëm Kalaja e Dalmacës dhe nekropoli- tregon se cila është zona që nuk duhet prekur dhe cila është ajo që me përkufizim lejon ndërhyrje. Ky kufizim u respektua plotësisht dhe në përputhje me ligjin për trashëgiminë”, nënvizon Ministria e Kulturës.

Sipas ministrisë nëse misioni i arkeologëve që e kuptojnë shumë mirë se ç’domethënë zonë A dhe zonë B, do ta kishin konsideruar të palejueshme ndërhyrjen në hapësirën ku kalojnë shtyllat, do e kishin shtrirë Zonën A më tej dhe KKA do të kishte gjykuar e vendosur, në përputhje me propozimin e tyre.

Më tej sqarohet se ligjet, rregullat dhe përkufizimet do të respektohen në vendimmarrje.

Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqësuesit e OST, të cilët shpjeguan se:

– Po aty kalon edhe linja ekzistuese e tensionit të lartë Koman-Elbasan, prej të cilës duhen ruajtur nga shtylla në shtyllë distancat e sigurisë e të rrezikut që janë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.
– Duke qenë se në atë terren është tashmë e hapur traseja për linjën ekzistuese do të shfrytëzohet po kjo trase për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ky faktor paraqet interes edhe nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë sepse hapja e një traseje të re do të thotë gërmime të reja në terren, çka shmanget në rastin konkret.
– Relievi është i tillë që zhvendosjet e linjës bëhen të pamundura në distanca të pranueshme dhe kërkon rishikim total të projektit me rëndësi mbarëkombëtare dhe rajonale, që sjell dy pasoja të mëdha: një kosto shtesë prej qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit; dhe vënie në rrezik të marrëdhënieve kontraktuale me qeverinë gjermane që është financuese e këtij projekti me rëndësi strategjike dhe me kosto shumë milionë euro.

Ministria e Kulturës siguron se arsyet e renditura nuk do ta ndalojën KKA të kërkojë zhvendosje tyë linjës nëse do të prekej zona A e kërkimeve (e caktuar si e tillë jo nga MK por nga ekipi arkeologëve) ku dhe ka të dhëna të sigurta për gjurmë të qytetërimeve të trashëguara.

“Me kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të ruajtur edhe zonën B, KKA ka kërkuar të kryhen sondazhe në bashkëpunim me misionin e arkeologëve, në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme. Për këtë kemi bashkëpunim edhe me OST”, -deklaron Ministria e Kulturës.

Në mbyllje të deklaratës Ministria e Kulturës falenderon Forumin e Trashëgimisë Kulturore për interesin ndaj temës, ndërsa garanton opinionin publik se kemi dhënë të gjithë informacionin e duhur dhe kemi kërkuar bashkëpunim të arkeologëve për ta ndjekur hap pas hapi dhe institucionalisht çështjen e Komanit.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb