TIRANË 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, me anë të një deklarate për mediat, duke folur për protestën e kontrollorëve në aeroport, deklaroi se MM nuk ka ndërmend të marrë rol më tepër se rutina.

Peleshi theksoi se puna e Ministrisë së Mbrojtjes vazhdon që të bëhet në vigjilencë të plotë.

“E theksoj edhe njëherë, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura as nuk kanë marrë e as nuk kanë ndërmend të marrin ndonjë rol më tepër, nga ajo që bëjnë rutinë në aeroport, si pjesë integrale e tij. Këtë ka bërë dhe këtë po bën me vigjilencë të shtuar.

Nuk janë kontrollorët ushtarakë, ata që do të marrin operacionet. Nuk jemi ne të licensuar, po flas tani në emër të tyre, të licensuar për Aviacionin Civil, kështu që kjo është edhe një arsye më tepër, përveç kufizimeve e ndalimeve të tjera, që nuk do të jemi ne pra, që do marrim përsipër rifillimin e operacioneve në aeroport. Ka kërcënime edhe në rajonin tonë, që lidhen me orientimin e vendeve të rajonit, edhe në shtete të tjera, përpos SHBA-ve. ne jemi pro Perëndimit gjithmonë. Komiteti i Mbrojtjes Civile ka vendosur të ngarkojë Ministrinë e Infrastrukturës që të marrë të gjitha masat për sigurinë e aeroportit”, u shpreh Peleshi.

Fjala e plotë e Niko Peleshit:

Ngjarja e fundit ne aeroport bojkoti punës nga kontrolloret e shërbimit te aviacionit civil solli mosfunksionimin, mbylljen e aeroportit.

Sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes, ne jemi pjesë integrale aty me struktura të posaçme të Forcave të Armatosura, konkretisht policia ushtarak.

Nuk është se ka paturë tepër se sa kaq,se sa prezenca jonë integrale dhe në çdo kohë në ruajtjen dhe garantimin e perimetrit të aeroportit.

Ajo që është shtuar është vigjilenca, në një moment kur një aset i rëndësishëm për sigurinë kombëtare, një objekt strategjik një infrastrukturë kritike e ndërlidhjes kufitare, tani po i drejtohem termit të ligjit të Emergjencave Civile, cenohet.

Pra në rast se një aset i tillë cenohet ne do të jemi më vigjilent. Jemi shumë të vetëdijshëm për moslejimin e forcave të armatosura të lëvizin në një periudhë zgjedhore e për më tepër pa një urdhër të veçantë apo pa një vendim parlamenti.

Nuk jemi në ato kushte, nuk jemi në kushtet e shtuara të Forcave të Armatosura në raport me çfarë kanë ndodhur në aeroport. Jemi në vijimin e punës siç ka ndodhur zakonisht, punës rutinë por me vigjilencë të shtuar në aeroport për më tepër se kaq në cilësinë e mbrojtjes dhe kryetarit të komitetit të mbrojtjes civile.

Me kërkesë të ministres Balluku kam thirrur dje virtualisht një mbledhje të komitetit të mbrojtjes civile, kemi diskutuar për emergjencën që ka sjellë ose që potencialisht sjell mosfunksionimi i aeroportit. Është aeroporti i vetëm kombëtar tani për tani, është porta e vetme hyrëse ajrore, është porta e vetme nga vinë vaksinat. Procesi i vaksinimit është lajmi më i mirë dhe ngjarja më ë rëndësishme e kohës për të luftuar atë që është sot problemi i gjithë botës, pandeminë.

Këputja e furnizimit do të ishte dramatike, e palejueshme, do të shkaktonte emergjenca civile dhe kjo është një nga shkaqet së përse ne jemi legjitimuar, të thërrasim mbledhjen e komitetit të mbrojtjes civile. Ka edhe emergjenca të tjera civile që shkaktohen nga mosfunksionimi i aeroportit

Ka 100ndra shqiptarë që sot gjenden nëpër aeroportet e Europës duke pritur të rifillojnë operacionet e Rinasit. Ka dhe një çështje tjetër shumë kritike dhe strategjikë që është stërvitja defender Tëenty one.

Kjo stërvitje do të fillojë në ditët e para të majit por përgatitjet kanë kohë që kanë filluar në bashkëpunim me komandën e Europës e të SHBA dhe partnerë të tjerë të NATO-s, do të jetë stërvitja më e madhe e 30 viteve të fundit, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Tregon rëndësinë dhe rolin strategjik që Shqipëria luan dhe duhet të luajë edhe në të ardhmen në Ballkan.

Ballkani dhe gjeopolitika nk është duke kaluar periudha shumë të qeta apo pa kërcënime. Ka kërcënime dhe në rajonin tonë që lidhen kryeaiaht me një orientim nga anë të tjera përvec perëndimit nga vendet e rajonit.

Ne jemi krah për krah me SHBA si partnerin tonë në strategji. Jemi gjithashtu krah për krah NATOS dhe gjithë aleatëve brenda NATOS për të mbajtur drejt perëndimit këtë orientim në Ballkanin Perëndimor.

Të gjitha këto e bëjnë edhe njëherë shumë të rëndësishëm konsiderimin me seriozitet me vigjilencë të shtuar të funksionimit apo mosfunksionimit tani për tani të aeroportit.

Me pak fjalë komiteti i mbrojtjes civile në fund pasi ka dëgjuar disa ministra të cilët lidhen me problematikat që shkakton mosfunksionimi i aeroportit ka vendosur të ngarkojë min. e infrastrukturës dhe energjisë të marrë të gjitha masat për fillimin e punës e operimit të aeroportit.

Të marrë të gjithë masat do të thotë të sigurojë kontrollorët vendas apo të huaj, t’i trajnojë apo licensojë në një kohë sa më të shpejtë për të filluar gradualisht operacionin.

Duhet një procedurë e përshpejtuar për licensimin dhe kualifikimin e tyre gjë të cilin e legjitimon edhe ky vendim i komitetit të mbrojtjes civile.

E theksoj ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura as nuk kanë marrë as nuk kanë ndërmend të marrin ndonjë rol më tepër nga ajo që bëjmë rutinë në aeroport si pjesë integrale e tij, policia ushtarake këtë ka bërë, këtë do bëjë por me vigjilencë të shtuar për shkak të problematikës.

Nuk janë kontrollorët ushtarakë ata që do të marrin operacionet nuk jemi ne të licensuar për aviacion civil kjo është edhe një arsye më tepër përveç kufizimeve dhe ndalimeve të tjera që nk do të jemi ne që do të marrim përsipër rifillimin e operacioneve në këtë aeroport.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb