Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ekspertët e shëndetit publik nisi nga Divjaka procesin e dezinsektimit në zonat turistike dhe ato urbane për vitin 2018.

Sipas ekspertëve entomologë, është me rëndësi të madhe fillimi i procesit të dezinsektimit në këtë periudhë.
“Ky proces ka një rëndësi kombëtare duke qenë se mushkonjat përbëjnë faktorët më të rëndësishëm në transmetimin e sëmundjeve infektive përpos faktit që janë ndër insektet më shqetësuese. Nisja e procesit të dezinsektimit në fillim të sezonit është i një rëndësie të veçante sepse kap fazat e para larvare që kanë çelur si rezultat i vezëve dimërore. Sa më shpejt që të nisë procesi aq më shumë rezultate do kemi”, shprehet eksperti entomolog Elton Rogozi.

“Ndërhyrja në këtë fazë është shumë e rëndësishme sepse atakimi që në krijimin e fazës së parë larvare para fillimit të këtij sezoni, do të ulë shumë mundësinë e zhvillimit të tyre për të garantuar një sezon turistik sa më te mirë”, shprehet Fredi Kokoneshi kryetai i Bashkisë Divjakë.

Procesi i dezinsektimit u parapri nga monitorimi entomologjik për praninë e vatrave të rritjes së larvave të mushkonjave në zonën e pyllit, plazhit dhe në zonën urbane të Divjakës. Pas përcaktimit të zonave ku duhej ndërhyrë, u krye procesi i dezinsektimit në lagjet dhe qendrën e qytetit të Divjakës dhe përgjatë të dy anëve të rrugës së plazhit duke filluar nga zona e hyrjes së pyllit deri në fund të zonës së plazhit ku janë vendosur godinat e pushuesve dhe zonat e banuara, kafene dhe restorante.

Aktualisht specialistët e shëndetit publik kanë nisur procesin e monitorimit që i paraprin atij të dezinsektimit nga Butrinti dhe zonat përreth, duke vazhduar me zonat bregdetare deri në Velipojë, duke përfshirë edhe zonat urbane.

Procesi i dezinsektimit nisi në vitin 2014 dhe aktualisht është në vitin e tij të pestë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do ta përmbushë në kohë këtë proces, për të reduktuar praninë e mushkonjave gjatë sezonit turistik, një proces me rëndësi për uljen e mundësisë së transmetimit të sëmundjeve infektive dhe shqetësimeve nga pickimet dhe reaksionet alergjike që shkaktojnë ato në persona të ndjeshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb