TIRANE – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj prezantoi sot Kartën e Shëndetit, e cila do të zëvendësojë librezën shëndetësore, duke bërë të mundur dixhitalizimin e të gjithë informacionit për qytetarët. Ministri Beqaj theksoi se ndër avantazhet e shumta që sjell pajisja e qytetarëve me këtë kartë, do të përmirësohen shërbimet shëndetësore dhe do të lehtësohet edhe puna e mjekëve.
“Nëpërmjet kësaj karte do të mund të kursehen para e kohë, ndërkohë që edhe të dhënat janë të automatizuara. Kjo kartë e shëndetit është inovacion dhe një hap i ndërmjetëm per të tjera mundësi pozitive që ne duam të sjellim me reformën në shëndetësi. Nga ana tjetër, karta e shëndetit ndihmon që t’ju kthejë kohën e çmuar dhe rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët do të marrin shërbimin e duhur dhe mjeku do shfrytëzojë kohën për të vizituar sa më mirë pacientët, duke fituar dinjitetin dhe rolin që i takon”, -deklaroi ministri Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi qytetarët se gjatë këtij viti do të jetë ende e vlefshme libreza shëndetësore dhe aplikimi për kartën e shëndetit do të shtrihet në kohë.

“Ajo që dua të shpjegoj është që qytetarët janë të ftuar që në momentin kur do të mbarojë plotësimi i librezës të vijnë të marrin kartën. Ky vit do të jetë viti i bashkekzistencës së të dyjave. Nuk do të mbetet askush pa shërbim, që të mos kemi një dyndje të njerëzve që në javën e parë. ta shtrijnë gjatë vitit kur kanë nevojë, sepse nuk do të mbeten pa shërbim.”- deklaroi Beqaj.

Nga ana e tij, drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci tha se, “ky projekt i fondit u bë realitet dhe ne kemi shpërndarë 12 mijë kartat e para në Tiranë dhe në rrethe. Kjo kartë e shëndetit, sipas tij, do të zëvendësojë hap pas hapi librezën shëndetësore për të gjithë të siguruarit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb