NGA OLA MITRE

TIRANE- Ministria e Shëndetësisë ka shpallur 81 vende vakante për mjekë dhe infermierë, të shpërndara nëpër qendra shëndetësore në Vlorë, Sarandë, Delvinë e Kavajë. Bëhet fjalë për mjekët të përgjithshëm, mjekë specialistë dhe infermierë, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë listën me vendet dhe pozicionet e kërkuara sipas qendrave shëndetësore. Duke iu referuar kësaj liste, në Qarkun e Vlorës kërkohen 68 mjekë dhe infermierë, në qendrat shëndetësore të Vlorës, Sarandës e Delvinës. Ndërkohë që, për Kavajën në total kërkohen 13 mjekë dhe infermierë. Ndër pozicionet e shpallura vakante ka edhe drejtorë, ndërsa sa u takon specialiteteve, kërkohen 2 pediatër dhe 1 obstetërgjinekolog për qendrat shëndetësore nr.1 dhe nr.2 në Vlorë.

Sipas MSH-së, kandidatët e interesuar për këto vende pune duhet të kenë mbaruar studimet e larta universitare në një fakultet me program të akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndërsa, për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga MAS. Dorëzimi i dokumenteve bëhet çdo ditë, nga ora 12:00 deri në orën 14:00, deri më datë 7 dhjetor 2015, në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për të kandiduar çdo i interesuar duhet të dorëzojë: formularin e plotësuar dhe të firmosur (shih bashkëngjitur shkrimit), jetëshkrimin e tij (CV), diplomën universitare dhe certifikatën e notave, diplomën e specializimit (kopje e noterizuar) si dhe lejen e ushtrimit të profesionit nga urdhri përkatës (kopje e noterizuar). Po ashtu, dokumentacioni duhet të plotësohet me një raport mjekësor të aftësisë për punë, fotokopjen e letërnjoftimit, dëshmi penaliteti (në pamundësi për ta marrë në kohë deklaratë personale dhe në rast shpalljeje fitues dëshmia do të sillet në momentin e lidhjes së kontratës) si dhe diploma apo dëshmi të tjera.

PËRZGJEDHJA
Ndërkaq, sipas urdhrit me numër 87, të ministrit Ilir Beqaj, vlerësimi total për mjekët e përgjithshëm është 80 pikë, ndërsa për mjekët e specialiteteve është 100 pikë. Këto pikë mund të grumbullohen nga nota mesatare, njohja e gjuhëve të huaja, grada shkencore, eksperienca në profesion si dhe diploma e dëshmi të tjera kualifikimesh profesionale me afat mbi 2 javë. Ndërkohë që, sa u takon kritereve të vlerësimit për personelin infermieror në qendrat shëndetësore, urdhri saktëson po të njëjtat kritere, por vlerësimi maksimal në këtë rast është 70 pikë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: