Ministria e Kulturës ka prezantuar dje në ambientet e institucionit të saj, krijimin për herë të parë të hartës ‘WebGIS’, databazës së të gjitha monumenteve. këtë prezantim mori pjesë Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, drejtoresha e IMK, Arta Dollani dhe drejtoresha e ASHA, Rudina Zoto. Ministrja Kumbaro vuri theksin në rëndësinë e këtij informacioni të rëndësishëm duke u shprehur se “Jemi angazhuar përpara dy vjetësh për hartimin e të dhënave të plota dhe krijimin e një strukture të organizuar të informacionit të monumenteve të kulturës.

Nga inspektimet në terren u njohëm nga afër me mospërputhjet me të dhënat ekzistuese të pasurisë kulturore, të papërditësuara prej 25 vjetësh. Sot kemi një informacion të saktë të të gjithë monumenteve të aksesueshëm. Vetëm një javë më parë prezantuam edhe krijimin e sistemit WebGIS për veprimtarinë arkeologjike në terren të Agjencisw së Shërbimeve Arkeologjike për vitet 2008 – 2015. Më këto dy harta WebGIS plotësojmë angazhimin e Ministrisë së Kulturës, në respekt të plotë të trashëgimisë kulturore. Është një proces pune i nisur nga IMK, DRKK, ASHA, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe QKIPK, i cili do të vazhdojë të përditësohet”.

Harta GIS, ndihmon për krijimin e një databaze të unifikuar me të gjitha materialet e arkivave të IMK (një arkivë prej më shumë se 1,600 monumentesh). Ky databazë standardizon mënyrën e hedhjes dhe analizimit të informacionit, kategorizimin korrekt të monumenteve sipas një strukture të organizuar. Kjo lejon analiza të tilla si: gjetjen e të gjithë monumenteve që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, gjetjen e monumenteve sipas kategorive të percaktuara (objekte kulti, ndërtime inxhinierike, arkeologji, art, etj). Gjithashtu u ndërtua një sistem unik identifikimi i monumenteve. Databaza mban informacione për më shumë se 40 atribute për cdo monument.

Krijimi i një aplikimi WebGIS për hedhjen dhe shfaqjen e vendodhjes së saktë të çdo monumenti në Republikën e Shqipërisë duke treguar pozicionin e tij, gjurmën që zë monumenti në terren, zonën e mbrojtur (në rast se ka) për çdo monument si edhe shfaqjen e Zonifikimeve të Qendrave Urbane, atribute këto të lidhura ngushtësisht me planifikimin territorial të Shqipërisë. Përmes saj bëhet i mundur, informimi i publikut dhe të të gjithë institucioneve të tjera që kanë nevojë për një informacion të tillë lidhur me vendndodhjet e sakta në terren të monumenteve si dhe zonat e mbrojtura të tyre.

Ky informacion jepet nëpërmjet WebGIS bashkë me të dhënat e detajuara të kartelave për secilin nga monumentet. Gjithashtu IMK ka siguruar shërbime publike WMS në mënyrë që ky informacion të jetë i konsultueshëm edhe nga programe të tjera përveç platformës WebGIS të ndërtuar. Një shërbim i tillë kontribuon në mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nga ndërtimet e projekteve të tjera dhe informacion të gjithë të interesuarve për trashëgiminë kulturore të vendit. Sistemi WebGIS ka siguruar kombinimin e informacionit të monumenteve me të gjitha informacionet e tjera si rrjeti rrugor, projektet arkeologjike, pasuritë e paluajtshme (nga ASIG), ortofotot, imazhe satelitore, harta topografike, zonat e mbrojtura natyrore, etj. Sistemi WebGIS ka siguruar digjitalizimin e të gjithë informacionit ekzistues si edhe hedhjen e të gjithë përditësimeve në mënyrë digjitale, në kohë reale dhe të konsultueshëm për publikun në çdo moment.

Ministrja Kumbaro në fjalën e saj shtoi se “Duhet theksuar se procesi i hartëzimit dhe inventarizimit të monumenteve do të vazhdojë të përditësohet, shumë shpejt do të kemi një sistem digjitalizimi të monumenteve të kulturës, falë investimit të qeverisë shqiptare në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, i cili në përputhje me reformën territoriale do ti shërbejë biznesit vendas dhe atij të huaj, pushtetit lokal, ekspertëve të trashëgimisë kulturore, turizmit dhe publikut të interesuar”.

Sipas Kumbaros, gjendja e deritanishme e listës së monumenteve është kjo: 1982 është numri i monumente te kategorisë së parë dhe të dytë në Shqipëri; 112 objekte janë tërësisht të shkatërruara; 332 objekte në rrezik për nga qëndrueshmëria e tyre dhe 605 që kërkojnë ndërhyrje”, shprehet Kumbaro.
(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb