Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka rritur 130 lekë në muaj pagesat e paaftësisë për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë. Përmes një udhëzimi të ministrit, Blendi Klosi, i cili mban datën 20 gusht e që tashmë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 10 030 lekë në muaj. Ndërkohë që, deri më tani kjo kategori përfitonte 9 900 lekë në muaj. Po ashtu udhëzimi parashikon të njëjtën rritje edhe për kujdestarinë e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik. Deri më tani kujdestarët përfitonin 10 400 lekë në muaj, ndërkohë që sipas udhëzimit të ri, masa e përfitimit shkon në 10 530 lekë në muaj. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi fillojnë nga 1 shtator i vitit 2015.
Të verbrit & të lindurit
Rritje e masës së përfitimit është përcaktuar edhe për personat me aftësi të kufizuar në shikim, ndërkohë që vlera që shtohet është 140 lekë në muaj. Kështu, sipas udhëzimit me numër 24, datë 20.08.2015 të ministrit, masa e përfitimit për shkak të verbërisë bëhet 11 390 lekë në muaj, nga 11 250 që ishte deri më tani. Po ashtu, të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga data 1 shtator e këtij viti. Ndryshime parashikohen edhe për kategorinë e personave, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko-mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përko-hshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin. Sipas udhëzimit të ri, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, për këtë kategori bëhet 10 030 lekë në muaj. Deri më tani, personat që bënin pjesë në këtë grup përfitonin 9 900 lekë në muaj. Të njëjtën masë do e përfitojë edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar. Edhe për këto pagesa, efektet financiare do të fillojnë nga data 1 shtator.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: