PRISHTINE – Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner është shprehur se çdo 14 ditë do të organizohen aeroplanë për të kthyer emigrantët kosovarë në vendin e tyre.

“Emigrimi masiv i kosovarëve kohët e fundit po ndikon në procesin ekonomik të Kosovës dhe Austrisë. Vetëm këtë javë ka patur 1800 kërkesa për azil. Kosova është një vend i sigurt dhe e ardhmja është përpara”-tha Leitner gjatë një takimi me kryeministri ne Kosovës Isa Mustafa në Prishtinë.

Ministrja Leitner shtoi se në përgjithësi në Austri janë bërë 30 mijë kërkesa për azil, ndërsa në Hungari thotë se janë rreth 20 mijë. Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa, i ka kërkuar asaj mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkohë Sefedin Kuçi, nga departamenti për shtetësi, azil dhe emigrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, është shprehur në një intervistë për DW, se Kosova ka nënshkruar 22 marrëveshje me shtete të ndryshme për ripranimin e emigrantëve kosovarë. Gjithashtu Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar, dokument strategjik i cili përshkruan politikat dhe masat që duhen ndërmarrë për sigurimin e riintegrimit të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, duke u përqendruar në mënyrë specifike në fushat kryesore të regjistrimit civil, shëndetësisë, arsimit, punësimit, mirëqenies sociale dhe banimit.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb