Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se qeveria po përpiqet të ofendojë e poshtërojë qytetarët, ndërsa shtoi se ministrja e Energjetikës ditën që shiti 4.5 milionë euro energji u shtir sikur bëri një të mirë, ndërsa sot përsëriti apelin për të kursyer energjinë.

Ai shtoi se në një kohë të tillë, vetë institucionet shtetërore dhe qendrat e qyteteve nuk kanë dallim nëse është ditë apo natë, pasi ka miliona llamba dekorative që ndriçojnë.

Postimi i plotë:

“Ju kurseni energji, ne bëjmë propagandë në prag zgjedhjesh lokale”

Kjo qeveri përpiqet çdo ditë që ti ofendojë e ti poshtërojë qytetarët e sajë. E bëri edhe sot. Me moton “bëj si them unë e mos bëj si bëj unë”, ministrja e qeverisë, ditën që shiti 4.5 milionë euro energji u shtir sikur i bëri një të mirë shqiptarëve se nuk do rrisë energjinë.
Ndërkohë që sot ministrja përgjegjëse përsëriti apelin për të kursyer energji elektrike. Do të ishte apel i mirëpritur nga cilado qeveri për të kursyer, por më së pari shembulli do duhej të jepej nga vet ata që apelojnë.

A ndodh kjo në Shqipëri?
Në një kohë që Ministrja e Energjisë përsërit apelit që qytetarët edhe në këto temperatura të ulëta të kursejnë energji, vet institucionet shtetërore, qendrat e qyteteve nuk kanë më dallim nëse është ditë apo natë. Edhe kur dielli perëndon janë miliona llampa dekorative që ndriçojnë. Madje edhe në zyrën e ministres që bëri këtë apel, duken dritat dekorative të cilat janë vendosur prej një jave tashmë dhe ditë e natë harxhojnë atë që kursejnë qytetarët.

Përfundimi, sigurisht që sërish qytetarët e paguajnë.
Qeveria nuk e ka problem nëse qytetarët sëmuren në këto temperatura të ulëta, por mjafton që të ketë energji për të ndriçuar rrugët dhe sheshet e qyteteve për të realizuar propagandën. Ta shesim Shqipërinë si një vend festiv me njerëz të gëzuar, ndonëse qytetarët shkojnë në shtëpi dhe mbulohen me batanije.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: