Ministrja e Financave, Anila Denaj ka rrëfyer për “Dritare me Rudinën” në News24 eksperiencat e saj në shumë vende të ndryshme të botës, Afrikë, Frankfurt, Salvador etj. Denaj shprehet se, eksperiencat në këto vende i kanë mësuar shumë gjëra, por sipas saj ka hasur edhe vështirësi.

Rudina Xhunga: Po t’i rikujtoj unë vendet ku ke qenë, Salvador, Ekuador, Rumani, etj, supereksperiencë, e pabesueshme që i ke në këtë moshë.

Anila Denaj: Kam lëvizur shumë shpejt
Edhe jo gjithmonë kjo është pozitive, sepse nuk i shikon dot rezultatet e një punë që ke bërë. Megjithatë, duke qenë brenda të njëjtit grup, pra kanë qenë vende të ndryshme, por e njëjta bankë, i njëjti grup, i cili fliste me të njëjtën gjuhë, një organizim perfekt, në nivel qendror në Frankfurt. Dhe me një impenjim shumë të madh drejtuesve, për të folur të gjithë të njëjtën gjuhë, si në vlera etike ashtu edhe në aspekte profesionale, pra lëvizja fizike ishte e vështirë, por pjesa e kontekstit të punës, duke qenë në të njëjtin grup me këto vlera, ishte më e akomoduar.

Ndërsa ambientimi me vendin ka qenë i vështirë, në disa vende, Salvadori më i vështirë se të tjerët se kishte edhe çështje sigurie. Ndërsa Afrika që duket pak më e frikshme për shumë veta ndoshta edhe për miq e shokë. Jo, vështirësia në Afrikë ka qenë tjetër, nuk kuptoja në fillim, nuk ishte fizike, nga ana e infrastrukturës, as nga njerëzit, ishte në punë. Pasi ne rrimë në një ritëm të caktuar të të bërit të detyrave tona dhe ritmi shpesh nuk kombinonte me kontekstin lokal dhe ishte i vetmi vend që unë e kuptova pak vonë. Unë vazhdova me ritmin tim.

Ndryshe edhe nga ritmi në Shqipëri. Por kjo më mësoi që të ecja me ritmin tim, duhet të mësohesha të njihja kontekstin lokal më shumë sesa t’i detyroja të gjithë të ecin me një ritëm. Dhe e kuptova pak vonë, por ditën që ndryshova pashë që rezultatet ishin më të mira. Pse? Nga dhjetë pritshmëri, vura dy, por të paktën ato dy bëheshin dhe qeshja unë pak më shumë, qeshin edhe ata dhe kjo krijoi një klimë tjetër.

Ndërsa me dhjetë as nuk bëheshin, të gjithë ishim të frustruar dhe në fund nuk kishte asnjë përfitim. Në 5 vitet e fundit, unë kam qenë e angazhuar 4 vjet te Enti Rregullator i Telekomunikacionit, AKEP dhe kam pasur mundësi që të jap dhe mësim, kryesisht për shkollën e administratës publike, në kontekstin part-time dhe disa kurse, për ish-punonjës të mitë, të cilët më pyesnin më mbrapa, ke ndryshuar shumë, se duke më parë si trajnere, e shikon në një personazh më të relaksuar, se si drejtuese që kishe gjithmonë kërkesë llogarie.

Por besoj që është çështja e punës, presioni ngarkesa, frika. Unë kam mësuar nga Afrika që ta amortizoj këtë dhe më ka mësuar atë që mbase nuk ta mëson asnjë shkollë, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse marr pak më tepër kohë, kur marr edhe vendime, sepse dua të jem shumë e kalibruar në mendimet e mia, dhe duke menduar gjithmonë edhe në këpucët e tjetrit, sidomos të çështjeve të personelit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb