Denaj apel bizneseve: Respektoni ligjin, jemi në mbrojtje të konsumatorit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, në kuadër të zbatimit të Planit Operacional në luftën kundër Informalitetit, inspektoi sot disa subjekte në zonën e  Lungomares, në Vlorë.

Ministrja Denaj u njoh nga drejtuesit e Hetimtit Tatimor Rajoni Jugor me rezultatet e arritura ditët e fundit, gjatë së cilave janë ndërmarrë 19 verifikime në terren dhe janë konstatuar subjekte me problematikë. Me konkretisht është marrë masa e bollkimit të aktvitetit ekonomik për 2 subjekte, pasi ka rezultuar se nuk kanë qenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Gjithashtu është penalizuar një subjekt për moslëshim kuponi (hera e parë), i cili u gjobit në  masën 50,000 lekë, sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë fjalës së saj, ministja Denaj, tha se do të vijohet puna për evidentimin e subjekteve që nuk përmbushin detyrimet ligjore dhe tatimore. “ Kemi inspektuar gjithë zonën e bregdetit deri në Orikum dhe do të vazhdojmë me verifikimet. Shpresoj që të kemi rritur ndërgjegjësimin e bizneseve dhe për këtë flasin edhe shifrat. Sikundër e kemi nënvizuar gjithmonë qëllimi ynë nuk është vetëm kryerja e verifikimeve në terren, por edhe ndërgjegjësimi. Përgjegjësia e biznesit është përgjegjësia e kërkuar për të respektuar ligjin dhe për të qenë në mbrojtje të konsumatorit”, tha ministrja Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë kërkoi nga strukturat e Hetimit Tatimor që të vijohet me inspektime më të shpeshta, në të gjithë bregdetin jugor,  duke filluar nga Divjaka deri në Ksamil, kryesisht në oraret ku aktiviteti ekonomik është më i lartë dhe ka më shumë mundësi që të konstatohen parregullsi ligjore.

“Unë mendoj se kemi akoma shumë punë për të bërë, për të inspektuar të gjithë zonën deri në fund. Shpresojmë që të kemi zero gjetje, zero kupona në shkelje të ligjit dhe mbi të gjitha të kemi regjistrime të plota”, tha ministrja.

Zbatimi i Planit Operacional do të vijojë të shtrihet në të gjithë territorin për të bërë të mundur evidentimin e subjekteve që nuk respektojnë ligjin, rritjen e të ardhurave, si dhe respektimin e konkurrencës së ndershme.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb