TIRANE

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj tha se nga 1 korriku 2019 me anë të ligjit të ri nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP.

E ftuar në emisionin ‘Dritare me Rudinën’ në News24, Denaj u shpreh se aktualisht janë 11 oferta të pa kërkuara përmes PPP, ndërsa me ligjin e ri do ketë limitim dhe monitorim të PPP.

“Janë 11 oferta të pa kërkuara dhe janë investime në infrastrukturë dhe në shkolla, spitale. Këto janë shërbime publike që vijnë përmes PPP. Disa shërbime janë të domosdoshme. Roli i Ministrisë së Financave parashikon që të jetë kyç në monitorim. Më parë ky proces nuk ishte i parashikuar. Ky rol vjen i shtuar me ligjin e ri për PPP. Ligji i ri ka disa avantazhe se bën një limitim të PPP dhe e lë atë të hapur vetëm për disa sektorë të caktuar. Kërkohet një monitorim më i mirë i PPP dhe shërbimet mendoj se vijnë më shpejt”-tha ministrja.

Denaj u shpreh optimiste për realizimin e objektivave ekonomike pavarësisht situatës politike për të cilën tha e nuk mendon se mund të destabilizojë sistemin ekonomik.

“Perceptimi ne nuk do arrijmë objektivat është i gabuar. Klima aktuale i prish punë financave. Situata politike nuk besoj të arrijë në atë nivel sa të destabilzojë sistemin financiar. Nuk më rezulton se ka pasiguri ekonomike. Mendoj se do të tejkalohen”- tha Denaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: