Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci ku u prit nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Financave, z. Zdravko Marić, Ministri i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, z. Darko Horvat, dhe nga Ministri i Turizmit, z. Gari Cappelli.

Gjatë takimeve, homologët rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë, ndërsa shprehën besimin se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë mundësi dhe potenciale më të mëdha për t’u zhvilluar.

Ministrja Denaj kërkoi mbështjetjen e plotë të Kroacisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi kjo vizitë zyrtare në Kroaci përkon edhe me javët e para të Kryesimit Kroat në Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Vizioni i ngjashëm i Kroacisë dhe Shqipërisë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe momentet historike na kanë bashkuar përherë, duke e shndërruar marrëdhënien tonë në një partneritet strategjik”, u shpreh Ministrja Denaj.

Po ashtu, Ministrja tha se eksperienca kroate mbetet shumë e mirë për Shqipërinë në zbatimin e procesit të fiskalizimit, në përthithjen e investimeve të huaja, në zhvillimin e sektorit të turizmit apo edhe në procesin e integrimit si vendi i fundit që ka aderuar në BE.

“Gatishmëria dhe angazhimi ynë do të jetë i lartë për të mirëpritur investimet dhe projektet kroate në sektorët strategjikë. Do të mirëpresim më kënaqësi edhe çdo mbështetje institucionale në kuadër të bisedimeve teknike me Komisionin Evropian dhe ato politike me strukturat e BE-së në tërësi”, theksoi Denaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë Horvat premtoi mbështetjen e Qeverisë kroate për integrimin e Shqipërisë në BE, nisjen e procedurave për një linjë direkte ajrore Zagreb-Tiranë dhe bashkëpunimin konkret në fushat si turizëm, transport detar dhe zejtari.

Pas Memorandumit të nënshkruar në Tiranë, në 19 korrik 2019 “Mbi bashkëpunimin në fushën e sipërmarrjes”, komunikimi mes dy vendeve është kthyer në një platformë shumë të mirë për bashkëpunime të mëtejshme ndërmjet agjencive të investimeve apo administratave fiskale në të dy vendet.

Gjatë vizitës në Kroaci, Ministrja Denaj mori pjesë edhe në Forumin e Përbashkët të biznesit organizuar nga dy Dhomat Kombëtare të Tregtisë se dy vendeve, ku theksoi se kjo është një mundësi shumë e mirë për një intensifikim të marrëdhënieve mes investitorëve shqiptarë dhe kroatë, si dhe për të prezantuar Shqipërinë në një audiencë më të gjerë.

“Investimet në turizëm, agroturizëm dhe bujqësi në tërësi, hapësira për investime në energji të rinovueshme dhe zonat e lira ekonomike janë me potencial të lartë për zhvillim dhe për të krijuar një standard tjetër për modelet e biznesit në këto fusha”, u shpreh Ministrja Denaj në fjalën e saj në Forum, ku ndër të tjera vlerësoi se shkëmbimet tregtare mes vendeve kanë pësuar rritje të vazhdueshme, por jo të mjaftueshme, pasi potencialet e bashkëpunimit janë edhe më të mëdha.

Sipas Ministres, Diaspora shqiptare në Kroaci ofron gjithashtu një avantazh i cili mund të materializohet së shpejti edhe në kuadrin ekonomik.
Ministrja Denaj u shprehu kolegëve kroatë falënderimet në emër të Qeverisë shqiptare për ndihmën dhe kontributet e dhëna nga Qeveria kroate në përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Palët bashkëbiseduese ranë dakord që bashkëpunimi të intensifikohet me grupe teknike mes ministrive respektive për të mundësuar procesin e para antarësimit në mënyrë me efektive dhe me përfitime për përthithjen e fondeve të BE, përshtatjen e plotë të ligjeve në kuadër të integrimit si dhe marrëveshje institucionale edhe mes dhomave të bizneseve, sidomis ato të Zejeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb