Kosova mbetet në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, edhe pas ndryshimeve kushtetuese, tha të premten ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviq.

Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë – e miratuar në vitin 2006 – e përcakton Kosovën si “pjesë integrale të Serbisë”.

Më 7 qershor, Kuvendi i Serbisë ka miratuar propozimin e Qeverisë për ndryshimin e pjesës për drejtësinë në Kushtetutë.

Serbisë i është rekomanduar harmonizimi i legjislacionit të brendshëm me atë evropian, në rrugën e saj të integrimit në BE.

Me ndryshimet e propozuara kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të zgjidhen më nga Parlamenti i Serbisë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Popoviq tha për mediat serbe se ndryshimi i Kushtetutës – në pjesën për drejtësimë – është më i rëndësishmi në fushën e sundimit të ligjit, sepse, siç tha ajo, sundimi i ligjit çon në një sistem ligjor, ku ka siguri juridike.

Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë kanë votuar kundër propozimit për ndryshimin e Kushtetutës.

Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, ka thënë se nuk i mbështet ndryshimet e pjesshme të Kushtetutës.

Sipas tij, i gjithë legjislacioni i brendshëm duhet të harmonizohet me atë evropian, përfshirë Kapitullin 35, i cili u referohet negociatave midis Kosovës dhe Serbisë.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb