Gjatë vizitës së saj në Berlin, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga z.Stephan Meyer, Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun Gjerman nga z. Patrick Sensburg, Kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

me z. Johannes Fechner 1

Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Evropian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin europian të Shqipërisë.

Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të Vettingut dhe në rastet e fillimit të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë publik, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftë kundër kriminalitetit, emigrimit të paligjshëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët evropian.

me z. Johannes Fechner 2

Z. Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm më zyrtarët publik në Gjermani, por edhe me qytetarët e tjerë gjerman për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, z. Fechner, vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani duke theksuar se do t’ia përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave.
Gjithashtu, z. Fechner ofroi gatishmërinë e tij, si dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.

Me z.Stephan Meyer

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb